Rusia: Po vëzhgojmë nga afër gjendjen në veri të Kosovës

1 year ago 10

Kremlini ka deklaruar sot se është duke e vëzhguar nga afër gjendjen në veri të Kosovës, por nuk e dënon sulmin vdekjeprurës të personave të maskuar ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan një ditë më parë.

Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, pasi është përkrahëse tradicionale e Serbisë, me të cilën ka lidhje të ngushta kulturore dhe fetare.

“Gjendja është tejet e vështirë. Në Kosovë, ne e shohim një qasje tradicionalisht të anshme ndaj serbëve, gjendja është shumë, shumë e tensionuar dhe me gjasë e rrezikshme, ne jemi duke e vëzhguar atë nga afër”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference të rregullt për media të hënën.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator. Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Rreth 30 sulmues ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.

Policia e Kosovës e mori kontrollin e manastirit të dielën vonë dhe tani është duke e siguruar fshatin. Të hënën më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko.

“Jam mirënjohës që (ambasadori rus) i dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe”, shkroi sot Vuçiç në Instagram.

Ai nuk ka dhënë hollësi se për çfarë kërkesash bëhet fjalë. Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Top Channel

Read Entire Article