Këtë të hënë Kuvendi nisin nën një atmosferë të tensionuar politike punimet për sesionin e ri parlamentar. Seanca e parë do të çelet pasdite në orën 17:00.
Deputetët i rikthehen me një rregullore të re me përjashtim deri në 60 ditë, por pavarësisht kësaj grupi i Gazment Bardhit dhe deputetët e Berishës do të vijojnë me strategjinë e përpjekjeve për bllokimin e seancave. Seanca e parë e Kuvendit pritet të miratojë kalendarin e punimeve të shqyrtuar në Konferencën e Kryetarëve, sikundër ndryshimet në qeveri. Edhe ky sesion do të ketë tensione dhe debate mes mazhorancës dhe opozitës. Ish-kryeministri Berisha nuk do të marrë pjesë për shkak se ndodhet në arrest shtëpie për aferën ‘Partizani’.
Demokratët do të pamundësojnë zhvillimin normal të Parlamentit, ashtu sikundër kanë vepruar seancat e shkuara të sesionit të kaluar. Pas mbledhjes së grupit parlamentar ditën e premte, demokratët bënë të ditur se nuk do të heqin dorë nga strategjia e përpjekjeve për bllokimin e seancave.
Kryeministri nga ana tjetër pak ditë më parë i lajmëroi opozitarët se dhe ata si mazhorancë nuk do të heqin dorë nga qëndrimi i 3 muajve të fundit: do miratojnë ligje duke ngritur kartonët pa zhvilluar debate, ndërsa diskutimet do të zhvillohen në komisione në mbledhje “online” sa kohë, sipas tij, nga ana tjetër do të hidhen flakadanë dhe do të tentohen përleshje fizike.
Që në seancën e parë do të duhet të miratohet dekreti i Presidentit për ndryshimet në qeveri. Deputetet do të insistojnë për miratimin e komisioneve hetimore parlamentare, duke refuzuar si antikushtetuese ligjin e miratuar me votat e mazhorancës për funksionimin e këtyre komisioneve, sikundër do të kërkojnë rikompozim të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ndryshimin e bashkëkryetarit të opozitës, duke zëvendësuar Enkelejd Alibeajn me Oerd Bylykbashin.
Krahas debateve me shumicën, deputetët mbështetës se ish-kryeministrit Berisha dhe kreut të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, kanë edhe një debat të brendshëm mes opozitës, pasi Lulzim Basha kërkon që ky komision të mos ndryshojë përbërjen.
Kryeministri ka lënë të kuptohet se nëse nga ana tjetër nuk do të ketë dakordësi për t’u ulur në komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore, atëherë mund të hiqet dorë nga kjo traditë. Ai nuk e mohoi se do tentohet konsensus aritmetik në seancë plenare dhe jo konsensus politik, siç ka ndodhur gjithmonë kur bëhet fjalë për reformën elektorale. Një tjetër çështje që është dhe shkaku i ngërçit parlamentar, ligji për Komisionet Hetimore pritet të shpalosë debate të ashpra. Opozita nuk i pranon ndryshimet që shumica vetëm me votat e saj i bëri këtij ligji, që aktualisht pret firmën e Presidentit për ta dekretuar ose jo, siç i ka bërë thirrje Gazmend Bardhi.
Ky sesion i ri që në nisje premton zhvillime dinamike, edhe pse pavarësisht se ligjvënësit kanë qenë me pushime prej më shumë se 3 javësh, politika nuk është ndalur asnjë ditë së prodhuari lajme.
“Vijimi i aksionit të opozitës në parlament”, – tha Bardhi.
Protestës dhe bojkotit të pjesës më të madhe të opozitës, qeveria do t’i përgjigjet njësoj.
“Për sa kohë përballë do të kemi boks, mundje, hedhje disku, hedhje gjyleje apo ndezje flakadanësh për lojërat e ardhshme olimpike, neve do të votojmë dhe do të largohemi” – theksoi më herët Rama.
Top Channel