Kryeministri Edi Rama nga Dibra, aty ku po zhvillohet Asambleja e Zgjeruar e Partisë Socialiste e ka nisur fjalimin e tij me një reagim mbi situatën politike në vend.
Rama ndihet i keqardhur për situatën politike në të cilën ndodhet vendi ynë së fundmi, si pasojë e kaosit të shkaktuar nga opozita në parlament, duke bërë të pamundur zhvillimin e seancave parlamentare, në rrjedhën e zakonshme.
Kryeministri i cilëson si “shfaqje të neveritshme”, përpjekjet e deputetëve, pjesë të opozitës, për të bërë të pamundur zhvillimin e seancave parlamentare.
Rama: Nuk dua të shpenzoj kohë për të folur për situatën politike por dua të nënvizoj faktin se kjo situatë që të gjithë e shihni është një situatë ku arsyet që thuhen për këtë përshkallëzim të marrëzisë, nuk janë ato që duken. Arsyet e vërteta janë skenat dhe aktet që asnjë familje, asnjë prind, madje as vetë ata nuk do t’ja lejonin fëmijëve të tyre. Nuk ka prind ti thotë fëmijës futu nga dritarja dhe më pas janë vetë baballarët, ata që hyjnë nga dritarja, duke i shtyrë të bëjnë këto “akrobacira” që shkojnë në kufijtë e shfaqjeve të “Portokallisë” në vendin e zyrave të tempullit të demokracisë që, në këtë rast është parlamenti.
Opozita ka të drejtë kushtetuese të bëjë hetime parlamentare por jo të shkelë kushtetutën duke prishur seancat parlamentare. Nuk është një gjë e re në fakt. Në 2013, fituam ne zgjedhjet, ata filluan avazin “nuk njohim zgjedhjet”. Në 2015 i njëjti avaz. Në 2017 u futën në çadër për të mos ardhur në parlament për të votuar Vetingun në parlament. Ne 2019 ikën fare, morën malin dhe prisnin që shqiptarët të ngjiteshin në mal, t’ju luteshin të zbrisnin se nuk do të bënim dot pa ta. Në 2021 e njëjta gjë dhe i sot ku përballemi me shfaqje të tilla të neveritshme që e ulin politikën në sytë e njerëzve.
Top Channel