“Shpërthimi i luftës në Bosnjë dhe përhapje e flakës në veri të Kosovës”, “zbërthehet” vizita e shefit të CIA-s në Kosovë

3 weeks ago 8
Reklamë

“Takim i rëndësishëm strategjik dhe vizitë historike”, janë fjalët e kryeministrit Albin Kurti për takimin me shefin e CIA-s, William Burns.

Kurti ka deklaruar se vizita e Burns në Kosovë dëshmon bashkëpunimin gjithnjë e më të ngushtë ndërmjet institucioneve të inteligjencës dhe sigurisë së Kosovës dhe Komunitetit të Inteligjencës.

Në këtë takim, Kurti ka thënë se ka rikonfirmuar përkushtimin për promovimin e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

“Falënderova drejtorin Burns për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe rikonfirmova përkushtimin tonë për të promovuar paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Këto synime të përbashkëta janë të mundshme vetëm nëpërmjet një angazhimi të vërtetë për sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, nga ana e të gjitha vendeve në rajon”, ka shkruar Kurti në rrjetin social X.

Ndërsa, në Facebook pak orë pas takimit ai vizitën e Burns e cilësoi historike, ndërsa shefin e CIA-s, diplomat briliant.

“Marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duam t’i forcojmë e zgjerojmë edhe më tej. Vizita e Drejtorit të CIA-s, diplomatit briliant Ëilliam Burns, ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin tonë strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë”, ka shkruar Kurti.

Shefi i CIA-s, William Burns, kishte aderuar në Prishtinë të enjten e pasdites, fillimisht ishte ndalur në AKI, pastaj u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Gjersa, raportimet ishin se Burns “injoroi” Kurtin për shkak të mos pajtimeve me Amerikën, shefi i CIA-s dëshmoi të kundërtën duke kaluar natën në Prishtinë, për ta pritur kryeministrin Albin Kurti, të kthehej nga Chicago për t’u takuar me të.

Bajqinovci: Vizita e Shefit të CIA-s Burns po ashtu i konfirmon edhe shqetësimet inteligjencës amerikane

Image

Mefail Bajqinovci

Takimin Kurti- Burns, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, e cilëson zhvillim të rëndësishëm dhe tregues që SHBA ka angazhim serioz në rajonin e Ballkanin, veçanërisht në Kosovë.

Sipas tij, është sinjal i qartë se Kosova mbetet një aleat i rëndësishëm për SHBA-në në rajon.

“Takimi i kryeministrit Albin Kurti me shefin e CIA-s, William Burns, është një zhvillim i rëndësishëm që tregon për angazhimin serioz të Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit, veçanërisht në Kosovë. Takimi konfirmon mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën dhe përpjekjet e saj për forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit. Ky është një sinjal i qartë se Kosova mbetet një aleat i rëndësishëm për SHBA-në në rajon”, deklaron Bajqinovci.

Vizita e shefit të CIA-s, konfirmon edhe shqetësimet e intelegjencës amerikane për sigurinë në rajon, thotë Bajqinovci, gjersa shton se opozita e kishte bombarduar Kurtin, ndërsa tani shpreson ta ketë pranuar e lexuar mesazhin.

“Një takim i tillë është një sinjal pozitiv për Kosovën, duke treguar se vendi është në qendër të vëmendjes së një prej aktorëve kryesorë globalë si SHBA-ja, dhe se mbështetja për zhvillimin e saj të mëtejshëm është e qëndrueshme. Vizita e Shefit të CIA-s Burns po ashtu i konfirmon edhe shqetësimet inteligjecës amerikane për sigurinë në rajon për çka kryeministri në vazhdimësi ka folur. Opozita çdo kauzë e ka pas të dështuar andaj po tenton të na paraqesin “antiamerikan” pasi që sukseset e qeveris Kurti janë të mëdha. Vetëm opozitë e analistë dje kanë bombarduar qytetarët me spekulime të stilit “ e shihni Albinin nuk po e takojn. U zhgenjyen sot me mëngjes kjo opozitë dhe disa analistë. Shpresoj që opozita ta ketë pranuar e lexuar mirë këtë mesazh”, deklaron deputeti.

Ramabaja: Vizita ka të bëjë me litiumin dhe realizimin e projektit ambicioz serb “bota serbe” 

Image

Sadri Ramabaja

Ndërsa, analisti politik Sadri Ramabaja, thotë se efekti i vizitës është i menjëhershëm.

Ai vizitën e lidh edhe me litiumin dhe realizimin e projektit ambicioz serb, bota serbe.

“Mesazhet e drejtorit të CIA-s, William Burns, gjatë vizitës së papritur në rajon, duket se kanë dhënë efekt të menjëhershëm. Sundimtari i Serbisë përmes këtij “rikthimi” të ndikimit të Serbisë në gjeopolitikën rajonale, e qartë, pretendon ta ulë peshën e dy republikave tona dhe të Kombit shqiptar si tërësi. Sidoqoftë ai mbetet për Ballkanin gjithnjë e më shumë si një rrezik permanent.

Vuçiqi, dyshojnë vëzhgues kredibil, po luan për kohë. Ai shpreson se komuniteti ndërkombëtar, para së gjithash Perëndimi, pas rikthimit të gjakuar të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, edhe prej një lagje autoritarësh tjerë europian, do t’ia falin sjelljen e tj në raport me Putinin dhe përgjithësisht qëndrimin dubioz të Serbisë mes Lindjes dhe Perendimit”, deklaron Ramabaja.

Ai vizitën e lidh edhe me litiumin dhe realizimin e projektit ambicioz serb, bota serbe.

Tutje, sipas tij, opozita në Kosovë bën akuza banale ndaj kryeministrit.

“Shtypja që ai ndërkohë i bën opozitës, para së gjithash organizatorëve të protestave që ndërlidhen me Litiumin — organizatat e të drejtave të njeriut flasin për terror shtetëror — ka një objektiv: të zhdukë opozitën dhe do të shtypë çdo farë rezistence, me idenë se vetëm kështu mund ta hedhë hapin e radhës për realizimin e projektit ambicioz serb — Botës serbe.

Për realizimin e këtij objektivi në rrugë sa më të lehtë, ai ka nevojë për partner tjerë në Kosovë.

Këtu duhet kërkuar arsyet themelore të diskursit të çoroditur të opozitës sonë në këtë fillim të parafushatës dhe akuzat banale të ndonjërit prej liderëve të saj në raport me kryeministrin dhe figurën e tij."

Sipas ekspertëve, kreu i shtetit rus, Vladimir Putin, është i shqetësuar për lëvizjet e reja të lidershipit serb në raport me Perëndimin.

Zëdhënësja e diplomacisë ruse, Maria Zaharova, kohë më parë deklaroi se “Perëndimi po përgatitë destabilizimin e Serbisë” me qëllim për të ndikuar në jetën politike të brendshme në Serbi, duke përfunduar se protestat në Serbi po nxiten nga Perëndimi kundër lidershipit aktual serb! Kjo deklaratë erdhi pas arritjes së marrëveshjes që Serbia realizoi me Bashkimin Evropian dhe kompaninë multinacionale Rio Tinto për eksploatimin e litiumit”, shton analisti.

Sipas Ramabajës, vizita e Burns është në kohë kur dështimi i diplomacisë perëndimore për ndaljen e ekspansionit serb u bë evident.

“Le të kujtojmë se kryeministri Kurti gjatë kësaj jave ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Kjo vizitë e zyrtarit të lartë amerikan në rajon, pasoi në këtë kohë, kur dështimi i diplomacisë perëndimore për ndaljen e ekspansionit serb u bë evident. Dhe, kur dështon diplomacia, dihet, radha ju vjen shefave të Intelegjencës; gjeneralët janë instanca e tretë për veprim”, thekson Ramabaja.

Në fund, ai shton se mbetet të shihet nëse vizita e Burns do të ndal shpërthimin e luftës së paralajmëruar dhe përhapjen e flakëve në veri të Kosovës.

“A do të mund ta ndalë kjo vizitë e drejtorit të CIA-s, William Burns, shpërthimin e luftës së paralajmëruar në Bosnjë dhe mundësinë e përhapjes së flakëve të saj edhe në veriun e Kosovës në vjeshtën e vonë, mbetet të shihet. Por një gjë është më se e sigurt, në rast se do të detyrohen të ndërhyjnë gjeneralët, atëherë harta politike e Ballkanit do të pësojë ndryshime të ndjeshme”, përfundon analisti.

Read Entire Article