“Shqipëria 130 faqe reforma larg BE-së”, Tabaku zbulon raportin europian: Kemi qeverinë më të paaftë për integrimin

1 year ago 34

Balkanweb app Get it on Google Play

Kryetarja e Komisionit parlamentar të Integrimit Jorida Tabaku bashkohet plotësisht me mesazhin që përcollën në Tiranë liderët europianë në samitin e Procesit të Berlinit: reforma, më pas financime.

Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” në RTSH, Tabaku u fokusua tek ajo që e cilësoi si paaftësi të qeverisë për arritjen e standardeve. “Mesazhet ishin mbështetëse, inkurajuese, por problemi mbetet tek vendet e Ballkanit Perëndimor për të realizuar reformat. Si Shqipëri, ne jemi treguar të paaftë për të përthithur fonde, duke marrë vetëm 21% të tyre dhe nuk kemi shkuar dot në një fazë tjetër të procesit. Shqipëria nuk ka përfituar nga Procesi i Berlinit. Ne jemi të katërt për sa i përket përfitimit të fondeve. Prandaj, kjo nuk është çështje datash, por standardesh”, u shpreh Jorida Tabaku, e cila ngre shqetësimin se Shqipëria nuk ka miratuar asnjë reformë domethënëse në 10 vjet, përveç asaj të drejtësisë.

Qendrimin kritik ndaj qeverisë për mungesën e reformave të duhura, kryetarja e Komisionit të Integrimit Europian e mbështet edhe në një raport të fundit të Komisionit Europian, që ajo e zbuloi gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço. “Po të lexosh raportin pas screening për grupin e parë të kapitujve, kupton sa pas jemi në bërjen e reformave dhe standardeve. Ky është një raport që tregon ku është legjislacioni shqiptar dhe ai i BE-së në grupin për të drejtat e njeriut, lufta kundër korrupsionit, sistemi i drejtësisë, gjyqësori, zgjedhjet, prokurorimet publike. Ne jemi 130 faqe reforma për t’u plotësuar. Megjithëse kemi miratuar reformën në drejtësi, që valëvitet si flamur sa herë u duhet, jemi pas në pjesën më të madhe të kapitujve.”- theksoi zonja Tabaku, duke treguar se e vetmja ku jemi përpara është politika e jashtme për shkak të traditës 32 vjeçare dhe rredhtinit krah SHBA dhe BE. Por për fushat e tjera, raporti tregon prapambetje domethënëse në raport me legjislacionin dhe standardet e BE.

“Në disa fusha është rreth 70% e përafruar me BE. Në disa fusha si ekonomia, bujqësia, tregtia, cilësia e standardeve të produkteve, që ndikojnë në jetën e qytetarëve, lëviz në 30-50%. Ajo do të jetë më e vështirë. Do të ketë rezistencën më të madhe dhe kanë reofrmat më të dhimbshme për t’u zbatuar, pasi biznesi do të ketë kosto, qytetarët kosto, fërmerët kosto. Ky është një proces ku të dy palët do të heqin dorë nga diçka. Të gjitha këto kërkojnë reformë të forta. Nuk bëhet me një shoë të një procesi të Berlinit sado filma të bukur e valle të bukura të hedhin shqiptarët.”- tha kryetarja e Komisionit të Integrimit.

Jorida Tabaku është e bindur se qeveria që na drejton nuk ka aftësinë për të bërë reformat që i duhen vendit për anëtarësim. “Nuk e ka bërë deri tani, sepse i kanë konsideruar samitet si evente, jo si një proces për të ndryshuar jetën e qytetarëve.”- u shpreh zonja Tabaku për emisionin “Pa Censurë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article