Shqipëria mbylli përgatitjet në Tiranë dhe u nis mesditën e kësaj të enjteje drejt Çekisë, atje ku do të luajë ndeshjen e parë të edicionit të ri të ligës së kombeve. Kundërshtari i të shtunë s në mbrëmje do të jetë Ukraina, e cila për shkak të gjendjes së luftës me Rusinë është e detyruar që ndeshjet ndërkombëtare t’i luajë jashtë vendit.
Duke shtuar këtu edhe Gjeorgjinë dhe Çekinë, pjesë e grupit B1 në ligen e kombeve, atëherë kemi të bëjmë me një rivalitet të madh mes kë tyre skuadrave të gjitha pjesëmarrëse në kampionatin e fundit europian. Si e tillë ndeshja e parë është menjëherë e rëndësishme për kuqezinjtë sa i takon objektivit për vendin e parë në grup. Për Qazim Laçin ndeshja e parë ndaj Ukrainës është shumë e veçantë për të, pasi do të luhet në stadiumin e klubit të tij, “Sparta Prague”.
“Mezi po presim që të vazhdojmë një aventurë të re në kompeticionin Nations League. E kemi për detyrë të bëjmë maksimumin pas paraqitjeve në Europian. Për mua është një ndeshje e veçantë me Ukrainën, sepse luajmë në Çeki te stadiumi im”, tha mesfushori i kombëtares Qazim Laçi.
Ndërsa Marash Kumbulla u shpreh se ndeshja e parë ndaj Ukrainës është shumë e vështirë, por theksoi se Kombëtarja do të futet në fushë vetëm për fitore.
“Besoj se grupi është gati, jemi stërvitur me intensitet të fortë dhe jemi gati për dy ndeshjet. Ukraina ka ekip shumë të fortë, ka lojtarë të mirë por edhe ekipi jonë ka shumë cilësi. Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar dhe e vështirë, shpresojmë që të fitojmë”, u shpreh mbrojtësi i kombëtares Marash Kumbulla.
Ndaj Ukrainës, Silvinjos i mungojnë lojtarë si Gjimshiti, Ajeti, Daku dhe Broja, të cilët janë të dëmtuar dhe pezulluar, ndaj në raport me ndeshjet ne Europian do të ketë disa ndryshime në formacion./vizionplus.tv