Shtatë kandidatë republikanë për president debatojnë për herë të dytë

1 year ago 11

Kandidatët republikanë për President u përballën mbrëmë në debatin e dytë televiziv.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti nga Kalifornia, ku u mbajt debati, të gjithë kandidatët që morën pjesë janë shumë prapa ish Presidentit Trump në sondazhe. Trump sërish nuk pranoi të marrë pjesë në debat, ndërsa kanë mbetur më pak se katër muaj deri të zgjedhjet e para brenda-partiake.

Shtatë kandidatët republikanë që morën pjesë në debat u ngjitën në skenën e bibliotekës presidenciale ‘Ronald Reagan’ në Kaliforni.
U deshën vetëm pak minuta që të fillonin kritikat ndaj njeri tjetrit, secili prej tyre i vendosur të dallohej prej të tjerëve.
Për Imigracionin: Ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie tha se do të dërgonte Gardën Kombëtare për të siguruar kufirin me Meksikën.

Kina u trajtua si një vend armiqësor gjatë pjesës më të madhe të debatit. Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley tha se do të dërgonte forca të operacioneve të posaçme për të sulmuar kartelet meksikane të drogës dhe do të ndalonte marrëdhëniet normale tregtare me Kinën derisa shteti komunist të ndalojë shpërndarjen e drogës fentanil.

Duke folur për luftën e Rusisë në Ukrainë, biznismeni Vivek Ramaswamy, tha se fakti që Putini është një diktator, nuk do të thotë se Ukraina është e mirë, ndërsa shtoi se Kina është armiku i vërtetë. Florida i ka ndaluar shtetasit kinezë të blejnë prona pranë zonave ushtarake dhe Guvernatori i Floridës Ron DeSantis tha se ai mbështet një ndalim të ngjashëm në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Kandidati kryesor, ish Presidenti Donald Trump mungoi në debat. Ai zgjodhi të vizitojë qytetin Detroit të Miçiganit, ku sindikata e punëtorëve të industrisë së prodhimit të makinave, është në grevë. Një sondazh i televizionit “NBC News” tregon se gati 60% e votuesve republikanë favorizojnë ish-presidentin Trump ndaj rivalëve të tij. Me diferencë të thellë, në vend të dytë është Guvernatori DeSantis, me 16%. Guvernatori i Dakotës së Veriut, Doug Burgum kritikoi administratën e Presidentit Biden për shkëmbimin e fundit të të burgosurve me Iranin.

“Ata morën pesë të burgosur; ne morëm pesë të burgosur. Por, ata morën edhe 6 miliardë dollarë, të cilat mund t’i përdorin për të çuar përpara terrorizmin e tyre pasi ky është kombi që është sponsorizuesi më i madh i terrorizmit shtetëror në botë”, tha Doug Burgum, Guvernatori i Dakotës së Veriut.

Ish Nën-Presidenti Mike Pence kritikoi ish-shefin e tij.

“Tani ne shohim që Donald Trump po largohet nga axhenda që ishte themeli i administratës tonë dhe që përcaktoi lëvizjen republikane në 50 vitet e fundit, ku ne qëndruam lart në skenën botërore. Tani Donald Trump po flet me gjuhën e tërheqjes”, tha ish Nën-Presidenti Pence.

Debati i tretë republikan mbahet më 8 nëntor në Majami të Floridas. Zgjedhjet e përgjithshme amerikane mbahen në muajin nëntor të vitit të ardhshëm. /VOA

Top Channel

Read Entire Article