Granit Plava ka pranuar autorësinë e vrasjes së Liridona Murselit, ndërsa për këtë ngjarje makabre është paguar 30 mijë euro nga bashkëshorti i saj. Ky i fundit, Naim Murseli, është vënë në pranga nga blutë e Kosovës. Detajet bëhen të ditura nga mediat, ku gjithashtu raportohet se autori dhe bashkëshorti i viktimës janë fiksuar nga disa kamera sigurie duke u takuar me njëri-tjetrin. Mediat shkruajnë se besohet që në këtë takim është përgatitur dhe plani për vrasjen e 33-vjeçares.
Ngjarja fillimisht u raportua nga autoritetet si grabitje me pasojë vrasjen, por hetimet kanë marrë tjetër rrjedhë pasditen e kësaj të premteje. Liridona Murseli u vra në mënyrë makabre, ndërsa së bashku me të ndodheshin edhe dy fëmijët që vinin nga martesa me Naimin, i cili tanimë është i dyshuar si porositës i vrasjes së saj.
Sipas tyre, ekzistojnë xhirime të kamerave që dëshmojnë se Naim Murseli, është takuar me autorin e vrasjes së Liridonës.
33-vjeçari dhe autori dyshohet se njiheshin më herët, ndërsa raportohet se janë bashkëfshatarë. Nuk dihen ende shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Nga ana tjetër, policia ende nuk ka një reagim zyrtar mbi arrestimin e autorit të dyshuar dhe bashkëshortit të viktimës.