Situata në Kuvendin e Kosovës po vazhdon të jetë tejet tensionuese, sidomos në seancat e fundit parlamentare.
Spektri politik, pozita dhe opozita, nuk po arrijnë assesi të gjejnë gjuhë të përbashkët bashkëpunimi.
Madje, në vazhdimësi, po përplasen mes vete, duke përdorur edhe gjuhë të papërshtatshme parlamentare.
Fatkeqësisht, kjo po ndodh në një kohë kur Kosova ka më së shumti nevojë për unitet politik, pasi sulmit të fundit terrorist në veri dhe situatës tensionuese në këtë pjesë të vendit.
Seancat e fundit parlamentare, kanë dështuar të mbahen në mungesë të kourumit.
Partitë opozitare po refuzojnë t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare të arritura nga qeveria Kurti, ku kësisoj ka nxitur pakënaqësi të mëdha.
Prandaj, qeveria ka marrë qëndrim që të mos iu përgjigjet pyetjeve të opozitës, pikërisht pasi kjo e fundit nuk po voton marrëveshjet ndërkombëtare.
E këto polarizimie politike në Kuvendin e Kosovës i komentuan analistët politikë për gazetën tonë.
Ata vlerësuan se është krijuar një situatë e rrezikshme, që nuk i konvenon asnjërës palë, e më së paku Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Qarri: Veprimet e opozitës së inkriminuar, partitë e të cilës përderisa ishin në pushtet e rrjepën Kosovën duke varfëruar qytetarët
E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.
Gani Qarri
Së pari, ai kritikoi qasjen e partive opozitare dhe bllokimin që po ia bëjnë marrëveshjeve ndërkombëtare me mos-votimin e tyre.
Ai tha se e gjithë kjo po shkon në dëm të shtetit dhe qytetarëve tanë.
“Në fakt veprimet e opozitës së inkriminuar, partitë e të cilës përderisa ishin në pushtet e rrjepën Kosovën duke varfëruar qytetarët, dhe pasuruar e ngritur veten në multimilioner, tani kur Kosova nën qeverisjen e Kurtit ka nisur ta rivendos rendin e ligjin edhe në veri, si dhe të shënoj progres në rrugëtimin drejt BE-së dhe integrimeve euroatlantike, të njëjtat parti, tani po i bllokojnë edhe marrëveshjet ndërkombëtar, vetëm që qytetarët dhe shteti i Kosovës, për shkak të mos-votimit të tyre, të mos arrij ti përvetësojë mese 200 milionë euro, duke i lënë ato të bllokuara.
Një dëm të tillë kolosal, shtetit të Kosovës dhe qytetarëve tanë, mund t`ia dëshironin dhe bënin, vetëm armiqtë më të mëdhenj, të cilët sikur të pyeteshin apo tu kërkohej të votonin, edhe ata do të vepronin njëjtë dhe silleshin me të njëjtën armiqësi si opozita aktuale, duke mos pranuar ta votojnë asnjë ligj ndërkombëtar, në të mirë të Kosovës, ligje nga të cilët do të përfitonin qytetarët dhe shteti i Kosovës”, deklaroi analisti.
Po ashtu, Qarri përmendi ‘armiqësinë’ e opozitës me qeverinë, si dhe përmendi disa marrëveshje të arritura në të kaluarën nga ish-qeveritë e kaluara.
“Për aq më tepër, pas bllokimit të vendit nga gjithë bota demokratike, për më se dy dekada, nga po këto parti tani opozitare, nuk duhet harruar se armiqësia e pashembullt e opozitarëve ndaj shtetit, integritetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës, nuk është e re, as e panjohur, siç nuk është akt i viteve të fundit dhe që vije rastësish e në mënyrë të papritur nga opozitarët aktual.
Jo, kjo është vazhdimësi e një tradhtie tradicionale e opozitarëve të sotëm, e cila filloi ende pa kaluar një vit nga 22 korriku 2010, kur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë si organi më i lartë Juridik i vet Organizatës së Kombeve të Bashkuara, u vulos edhe de-jure, ligjshmëria e pavarësisë së Kosovës, por kuislingu Hashim Thaçi, nisi negociata politike me Serbinë, për çështjet e brendshme të Kosovës, duke i vendosur Fusnotën, pavarësisë së shpallur dhe kthyer Kosovën në vend me status të pazgjidhur.
Ky akt, bëri që përkundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, NATO dhe BE, atëherë e sot, të mos e trajtojnë më vendin tonë si shtet të pavarur”, nënvizoi ai.
Në vazhdim, analisti kujtoi se si deputetët e opozitës së sotme i ‘bashkuan’ votat me deputetët e Listës Serbe për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Madje Fusnota nuk ishte damka e vetme shkatërruese për statusin e pavarësisë së Kosovës, më 19 Prill 2013 kuislingu Thaçi vuri në pikëpyetje edhe integritetin e vendit si dhe hapi diskutimet për çështjet territoriale të Kosovës, duke nënshkruar marrëveshjen për formimin e "zajednicës" një etnike serbe dhe bosnjëzimin e Kosovës, e cila më 2015, fitoi në mënyrë kundër-kushtetuese edhe kompetenca ekzekutive, duke u ri-nënshkruar edhe nga Isa Mustafa.
Dhe sikur mos të mjaftonin as këto akte shkatërrimtare për perspektivën dhe integritetin territorial e shtetëror të Kosovës, deputetët e opozitës së sotme, bashkuan votat edhe me Listën “srpska" dhe të unifikuar me ta, e miratuan me shumicën dërmuese të votave, edhe në Kuvend, formimin e "zajednicës", pasojat e të cilës po shihen dhe përjetohen më së keqi, në ditët e sotme, kur kanë filluar të vriten edhe policët e Kosovës, në detyrën e tyre rutinore, nga terroristët serb”, shpjegoi Qarri.
Gjithashtu, ai tha se me mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, opozita me qëllim po bllokon 200 milionë euro investime, gjë që në vendet tjera nuk do ndodhte.
Edhe sot, njëjtë si dje, partitë e njëjta e pjesërisht dhe po të njëjtit deputetët opozitar, që dje zhvlerësuan pavarësinë duke i vendosë fusnotën dhe vunë në rrezik rregullimin e brendshëm shtetëror dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës me nënshkrimin dhe miratimin në Kuvend të "zajednicës", vazhdojnë aventurat e tyre, me ndërskëmca dhe pengesa të reja ndaj mirëqenies së qytetarëve dhe ecjes përpara të shtetit të Kosovës, me mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke bllokuar qëllimisht mese 200 milionë euro, veprim i paturp e akt renegat, që nuk ndodhë në asnjë vend tjetër në rajon dhe gjithandej kontinentit të Evropës, vetëm pse nga ato para, do të përmirësohej mirëqenia e qytetarëve dhe avancohej mbarëvajtja e shtetit të Kosovës”.
Krahas kësaj, Qarri kritikoi ashpër deputetët e PDK-së, duke thënë se ata kanë bastarduar edhe gjuhën parlamentare.
“Për aq më tepër, deputetët e opozitës, ku shquhen veçanërisht "ballaban pashët" e PDK-së, të katapultuar qëllimisht në poste deputetësh të Kuvendit të Kosovës, përveç provokimit të konflikteve, ata kanë bastarduar edhe gjuhën parlamentare, sa që shumica e familjeve në Kosovë, nuk do të dëshironin, që fëmijët, t’i dëgjojnë fjalët as shohin shembujt e sjelljeve të tyre, të cilat tanimë, janë shndërruar në maskaradë ballafaqimesh e kundërvëniesh ndërmjet opozitës e pozitës, duke degraduar tërësisht edhe gjuhën parlamentare në Kuvend.
Andaj shto kësaj edhe bllokimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe sjelljet tërësisht armiqësore të opozitës, ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, pas një tolerance të gjatë, pozita jo vetëm që nuk kishte rrugëdalje tjetër, por edhe ligjërisht nuk ka obligim tu përgjigjet, atyre të cilët me vet dëshirë janë kthyer në kundërshtar të hapur të shtetit dhe popullit të Kosovës, madje të bisedohet me ta dhe përcillen po atyre kuasi-deputetëve të shantazhuar edhe informacione konfidenciale, mendoj se vërtet do të vihej në rrezik e tashmja dhe e ardhmja e shtetit të Kosovës”, tha ai.
Më tej, Qarri përkrahi pozitën duke thënë se nuk është fajtore për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, por që sipas tij veprimet e opozitës janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
“Kështu që, megjithëse shoh në media të caktuara, se kinse veprimi i pozitës, qenka në kundërshtim me Kushtetutën, nuk e di si nuk ofrojnë fakte dhe argumente bindëse, mediat e tilla, se në cilën kushtetutë dhe me cilat ligje, qenka e rregulluar që deputetët e një vendi, ti bllokojnë marrëveshjet ndërkombëtare në vlerën prej mese 200 milionë eurove, jo për pasurimin e qeverisë, por për mirëqenien e qytetarëve dhe mbarëvajtjen e institucioneve të shtetit të Kosovës, kur ata thirren në mandatet e marra nga populli.
Deputet të bastarduar e renegat, të cilët, si në asnjë shtet tjetër, refuzojnë t'i votojë edhe marrëveshjet ndërkombëtare, të cilët duke keqpërdorur mandatet e pamerituara kundër popullit dhe shtetit të vet, paguhen rrastë nga taksat e po këtyre qytetarëve, për çdo muaj, duke marrë shuma të majme, tërësisht të pamerituara”, potencoi analisti.
Ndër të tjera, ai kërkoi që urgjentisht të fillohet demaskimi publik i partive dhe deputetëve të shantazhuar nga Vuçiqi dhe Serbia.
“Madje me parti të tilla dhe deputet të shantazhuar, të cilët janë mësuar, që për dekada me radhë, të marrin paga të pamerituara dhe mëditje marramendëse duke dëmtuar shtetin dhe qytetarët, jo vetëm që nuk pritet unitet politik as qytetar, por inteligjenca dhe institucionet të cilat ia duan të mirën këtij vendi dhe popullit tonë, duhet urgjentisht të fillojnë me demaskimin publik të partive dhe deputetëve të shantazhuar nga Vuçiqi dhe Serbia, si dhe tu sqarohen publikisht, të gjithë qytetarëve dëmet e mëdha, që ata u kanë shkaktuar qytetarëve dhe gjithë Kosovës, në mënyrë që, kurrë më, këmba e tyre të mos shkel në parlament dhe as të mos arrijnë të marrin pozita ligjvënëse, në Kosovë” përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.
Zogaj: Qeveria duhet të “zbutet” dhe opozita duhet të mos tregoj “muskuj” por kulturë demokratike
Skënder Zogaj
Kurse, opinionisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se situata e krijuar në Kuvend nuk i përshtata as pozitës dhe as opozitës.
Sipas tij, është krijuar një situatë shumë e rrezikshme.
“Polarizimet ndërmjet pozitës dhe opozitës në Parlament po ekstremizohen dhe kjo është situatë skajshmërish e rrezikshme, sepse, mospajtimet e kanë një kufi dhe një limit që nuk guxon të tejkalohet, sepse shkon në dëmin e pariparueshëm historik për vendin dhe popullin. Situata e krijuar nuk i konvenon as pozitës as opozitës, përkundrazi i degradon të dyja si në planin e brendshëm elektoral ashtu edhe në planin ndërkombëtar, sepse, mosmarrëveshjet dhe refuzimet kategorike tregojnë padenjësi të realizimit të përgjegjësive që i kanë”, deklaroi opinionisti.
Po ashtu, ai kritikoi ashpër gjuhën e përdorur në Kuvend, duke thënë se ka degraduar në një nivel shumë të ulët.
Krahas kësaj, kërkoi që qeveria të ‘zbutet’, ndërsa opozita të mos tregojë ‘muskuj’, por kulturë demokratike.
“Pa dashur të gjykojmë, gjuha aktuale në Parlament është skajshmërisht primitive dhe e një injorance rrugaçërore! Qëndrimet kategorike gjithashtu janë principe rrënuese gladiatoreske, që nuk kanë qëllim dinjitetin e vlerave të shoqërisë, por pezmin personal të konkurrentëve brenda arenës që dyluftojnë për jetë a vdekje! Dhe, fitorja e njwrës palë kërkohet në vdekjen e palës tjetër! Kjo është gjëja më fatale që po i ndodh Kosovës në momentet më delikate të shtet-formimit që është fituar por nuk po mund të ndërtohet! Qeveria duhet të "zbutet" dhe opozita duhet të mos tregoj muskuj por kulturë demokratike, kërkesa të arsyeshme për aktualitetin historik të shoqërisë kosovare dhe vizion për perspektivën, jo dhe jo assesi që marrja e pushtetit të jetë qëllimi kryesor”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.