Skandali i zbuluar në spitalin Onkologjik në QSUNT, i cili po hetohet nga Prokuroria e Tiranës, ku rezultojnë të përfshirë mjekë e infermierë, që ose detyronin pacientët të shkonin në klinika private, ose të blinin medikamentet në farmaci private, është komentuar si një ngjarje e neveritshme, nga ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu.
Në një reagim, ministrja Koçiu tha se të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen nga ligji, ndërsa theksoi se këto persona nuk përfaqësojnë bluzat e bardha.
Koçiu e konsideroi një ngjarje të paprecedentë dhe që kjo histori i shkakton neveri
“Ngjarje e paprecedentë, jam e neveritur nga kjo histori. Këta persona nuk përfaqësojnë bluzat e bardha, që punojnë me profesionalizëm dhe përgjegjësit e kësaj historie nuk kanë vend në sistemin shëndetësor publik”, tha Koçiu.
Në vijim ajo theksoi se mjekët, misionin e tyre primar kanë humanizimin, ndihmën shëndetësore dhe shpëtimin e jetës së njerëzve, duke theksuar se ata që janë përfshirë në këtë ngjarje, nuk mund të ndotin bluzat e bardha.
Deklarata e Albana Koçiu
Ngjarja e sotme patjetër që të krijon një neveri të madhe. Mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish. Mbi të gjitha kur flasim për punonjësit e sistemit të shëndetësisë të cilët misionin e tyre primar kanë humanizmin, shpëtimin e jetëve të njerëzve.
Është një ngjarje e paprecedentë. Jam e neveritur nga kjo histori. Të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit, sipas procedurave administrative dhe të jetë e qartë njëherë e përgjithmonë që këta lloj personash nuk mund të ndosin bluzat e bardha, nuk mund përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm në të gjithë Shqipërinë dhe këta persona nuk kanë vend në sistemin shëndetësor.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb