“Sot jam një milanist”, Giroud refuzon të konfirmojë largimin nga Milani

6 months ago 2

Sulmuesi i Milanit, Olivier Giroud, ka refuzuar që të konfirmojë se do të largohet nga Milani në fund të sezonit, për t’u transferuar në Amerikë.

Ishte një pasdite e thjeshtë për ‘Rossonerët’, të cilët fituan me rezultat të pastër 3-0 ndaj Lecces në shtëpi.

Christian Pulisic, Olivier Giroud dhe Rafael Leao ishin lojtarët që gjetën rrugën e rrjetës në atë që ishte fitorja e shtatë radhazi për Milanin në të gjitha garat.

“Ndihem se ky është Milani më i mirë i këtij sezoni. Ne e deshëm këtë fitore sot, shënuam dy gola të shpejtë dhe e dinim se Lecce ishin në formë të mirë, vinin pas dy ndeshjeve pa pësuar gol”, ka thënë Giroud fillimisht për DAZN.

“Ne e shfaqëm urinë tonë për të shënuar dhe të jemi më efikas para portës. Ekipi po bën mirë mentalisht dhe fizikisht, ne kemi ndeshje të rëndësishme para nesh dhe duam të jemi të vëmendshëm ndaj objektivave tanë, që janë vendi i dytë në kampionat dhe finalja e Ligës së Evropës”, u shpreh francezi.

“Nuk dua që të flas për të ardhmen time. E kam parë se çfarë është raportuar. Sot jam një milanist, jam shumë krenar që luaj për këtë klub dhe dua ta përfundoj sezonin në mënyrën më të mirë”.

“Për sezonin e ardhshëm, do të shohim. Tani kemi Romën dhe tjera ndeshje të rëndësishme që të fokusohemi”, përfundoi Giroud./Telegrafi/

Read Entire Article