Dhomat e Specializuara në Hagë më 14 Dhjetor kanë modifikuar dënimin ndaj ish-nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj.
Modifikimi i mundëson Haradinajt lirimin nga burgu, nën disa kushte, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në Maj të vitit 2022, Haradinaj, së bashku me kryetarin e atëhershëm të OVL-UÇK, Hysni Gucati, u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të drejtësisë. Më pas, Apeli ua uli dënimet për tre muaj.
Gucatit iu modifikua dënimi më 17 Tetor, që i mundësoi lirimin nga burgu, me kushte.
Haradinaj e Gucati ishin arrestuar më 5 Shtator të vitit 2020, për t’u dërguar në Hagë.
Sipas njoftimit, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, konstatoi se “Haradinaj pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit”.
“Në bazë të raportit ai kishte respektuar rregullat e objektit të paraburgimit gjatë muajve të fundit”, thuhet në njoftim.
Trendafilova, po ashtu, “mori parasysh pendesën e z. Haradinaj dhe zotimin e tij se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij”, vijon njoftimi.
Nëse “Haradinaj nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet”, thekson njoftimi. /REL
Të ngjashme