“Spektakli” i arrestimit të Milan Radoiçiq, cila është prapavija e lirimit të tij?

1 year ago 22

U arrestua të martën në orët e pasdites dhe u lirua të mërkurën në orët e paradites, organizatori i sulmit terrorist në Kosovë, Milan Radojçiqi. 

Terroristi Radojçiq është liruar pasi gjykata në Serbi ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit. 

 Në vend të paraburgimit, Gjykata ka shqiptuar masën e ndalimit të „daljes nga vendbanimi“. 

Sipas këtij vendimi, kreu i grupit paramilitar që vrau policin Afrim Bunjaku, Milan Radojiçiq “s’ka të drejtë të futet në Kosovë dhe të largohet nga Serbia pa miratim të Gjykatës“, obligohet të paraqitet në stacion policor në datat 1 dhe 15. 

Radojçiqit i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta serbe, dhe i është tërhequr vërejtja se mund të ndalohet nëse shkel ndonjërën nga këto masa dhe obligime. 

Burjani: Sipas logjikës brenda një periudhe të shkurtër ngritet aktakuza 

Juristi Blerim Burjani duke komentuar arrestimin dhe lirimin e Milan Radojçiqit, thotë se mund të jetë rregull juridike që fillimisht të mbahet 48 orë, më qëllim të mos shkaktohet ndonjë akt i dhunshëm, por është liruar. 

Image

Blerim Burjani

Sipas tij, duhet pritur për veprimet tjera procedurale. 

“Arrestimi dhe lirimi pastaj mund të jetë një rregull juridike që të mbahet në paraburgim 48 orë dhe të lirohet. Kjo ndodhë në situata kur paraburgimi shqiptohet me qëllim që të mos shkaktohet ndonjë akt i dhunshëm. Është çështje që varet nga organet, sipas logjikës brenda një periudhe të shkurtër ngritet aktakuza. Tani duhet të pritet të shihet për veprimet tjera procedurale”, shprehet Burjani. 

Lirimi i Radojçiqit ka sjellë reagime si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Madje, deputeti serb i Partisë Demokratike (DS) Srgjan Milivojeviq thekson se “duket” se “prokurori e ka informuar Vuçiqin se Milan Radoiçiq “përmendi diçka për një farë Oliver dhe një farë Savamala”. 

Deputeti Srgjan Milivojeviq ka deklaruar në rrjetin social X (Twitter) se “është e lehtë të jesh njeri i lirë në një shtet mafioz kur ke një parashutë të artë”. 

Ndërsa, një reagim të menjëhershëm pas lirimit ka pasur shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi. 

Ai ka thënë se Serbia ka mbështetur terrorizmin në shtetin fqinj dhe thotë se arrestimi dhe lirimi i tij është vetëm shfaqje në media. 

“Aleksandar Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë mbështeti terrorizmin në Kosovën fqinje. 

Arrestimi dhe lirimi i një terroristi kryesor është vetëm për të marrë vëmendjen e mediave. 

Manipulimi i tij i stilit Millosheviq/Putin nuk do të mashtrojë askënd. Mbajtja e përgjegjësisë është thelbësore për këtë shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar”. 

Mehmeti: Kjo jep të kuptohet se në fakt duhet arrestuar Vuçiqi si urdhërdhënës dhe hija e Radojçiqit në sulmin në Banjskë 

Image

Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik Faton Mehmeti thotë se kjo gjë ishte e pritshme që do të ndodhte. 

Sipas tij, arrestimi ishte spektakël që dihej se si do të pasonte. 

“Ishte e pritur kjo gjë të ndodhte duke pasur parasysh faktin se pas Radojiçiqi qëndron Vuçiqi. S’mund të rrinte në burg Radojiciqi pasi as Vuciqi s’do të mund të qëndronte në pushtet, Radojiçiqi në burg e Vuçiqi në shtëpi, ose Radojiciqi në liri e Vuçiqi në pushtet. Fatet e tyre janë të lidhura me njëri- tjetrin, në këtë kuptim s’mund të ishte ndryshe përveç se lirimi i krye terroristit. Derisa u mundua të shfajësonte veten nga përgjegjësia, me arrestimin e Radojiçiqit ishte spektakël që dihej si do të pasonte. Kjo jep të kuptohet se në fakt duhet arrestuar Vuçiqi si urdhërdhënës dhe hija e Radojçiqit në sulmin në Banjskë”, deklaron Mehmeti. 

Më 29 shtator, Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës. 

Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq për publikun nga Beogradi. 

“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. 

Avokati, duke e lexuar letrën e Radoiçiqit, ka thënë se për veprimet e tij, Radoiçiq nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar “ndonjë ndihmë” prej tyre. 

“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terrori”, ka thënë ai. 

Kujtojmë, se si pasojë e sulmit terrorist është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë. 

Read Entire Article