Suedia, objektiv i dezinformatave të mbështetura nga Rusia

1 year ago 20

Suedia është objektivi i një fushate dezinformuese organizuar nga “aktorë të mbështetur nga Rusia” ,tha Ministri suedez i Mbrojtjes të mërkurën. Kjo fushatë tha ai, synon të dëmtojë imazhin e vendit kandidat në NATO, duke lënë të kuptohet se shteti suedez mbështet djegiet e fundit të Kuranit.

Përpjekja e Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO pasi Rusia ndërmori agresionin ndaj Ukrainës, e ka vënë vendin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, ndërsa një numër demonstratash në të cilat protestuesit kanë djegur kopje të librit të shenjtë mysliman, kanë zemëruar myslimanët në mbarë botën.

“Suedia është objektivi i një fushate dezinformimi të mbështetur nga aktorë shtetërorë që synojnë të dëmtojnë interesat e vendit dhe qytetarëve suedezë”, u tha ministri Carl-Oskar Bohlin gazetarëve në një konferencë për shtyp.

“Mund të shohim qartë se si aktorët e mbështetur nga Rusia po përforcojnë deklarata të pasakta si për shembull atë se shteti suedez është prapa përdhosjes së librave të shenjtë”, tha ai.

“Kjo sigurisht është, krejtësisht e pavërtetë,” tha zoti Bohlin, duke shtuar se aktorë të tillë shtetërorë përpiqen të “krijojnë përçarje dhe të dobësojnë Suedinë në arenën ndërkombëtare”.

Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga ambasada ruse në Stokholm ndaj një kërkese për koment në lidhje me deklaratat e ministrit.

Mikael Ostlund, një zëdhënës i Agjencisë suedeze që lufton dezinformimin tha në konferencën për shtyp se: “Rusia po përdor këto mundësi për të nxitur axhendën e saj në media dhe mesazhi i saj natyrisht, synon të na ndajë ne në Perëndim dhe të krijojë shqetësim dhe ndasi në rritje këtu në Suedi”.

“Natyrisht, një ambicie e tillë nga ana e Rusisë synon të komplikojë anëtarësimin tonë në NATO”.

Në një deklaratë në fillim të këtij muaji, Ministri i Jashtëm Tobias Billstrom tha se përdhosja e librave të shenjtë ishte “fyese dhe tregonte mungesë respekti. Shprehja e racizmit, ksenofobisë dhe e intolerancës nuk kanë vend në Suedi apo në Evropë”, tha ai.

Kopje të Kuranit janë djegur në disa demonstrata në Suedi dhe Danimarkë këtë verë, duke shkaktuar zemërim në mesin e myslimanëve duke nxitur protestuesit të sulmojnë dhe vandalizojnë ambasadën suedeze në Bagdad.Danimarka dhe Suedia kanë thënë se dënojnë djegiet e librave të Kuranit, por nuk mund ta parandalojë atë sipas rregullave që mbrojnë lirinë e fjalës.

Turqia, e cila ka të drejtën e vetos ndaj anëtarësimit suedez në NATO, dënoi protestat dhe i bëri thirrje Stokholmit të ndërmarrë veprime kundër autorëve.

Më herët të mërkurën, shërbimi suedez SAPO i sigurisë, paralajmëroi se situata e sigurisë në vend ishte përkeqësuar si rezultat të polemikave të fundit mbi lirinë e fjalës.

“Imazhi i Suedisë ka ndryshuar, nga ai i një vendi që konsiderohej tolerant në një vend që duket si anti-musliman – kështu shihemi ne … kryesisht në pjesët myslimane të botës”, tha Susanna Trehorning, Zëvendës Shefe e Kundër-Terrorizmit.

Megjithatë, niveli i alarmit të sigurisë në Suedi nuk ka ndryshuar, dhe aktualisht është në shkallën 3, duke treguar “rritje të rrezikut”. Pesë është niveli më i lartë i kërcënimit./VOA

Top Channel

Read Entire Article