Sulmi ndaj spitalit në Gaza që tronditi botën/ “Ligjet ndërkombëtare dhe zakonet e luftës s’prekin të sëmurët”, Rama: Hetim autorëve!

1 year ago 9

Kryeministri Edi Rama iu është bashkuar mesazheve në lidhje me ngjarjen e rëndë që prodhoi lufta mes Hamasit dhe Izraelit, ku një spital në Gaza u sulmua nga një raketë.

Përmes një mesazhi në X, kreu i qeverisë shqiptare thekson se është thellësisht tronditëse pamja, ndërsa kujton ligjet ndërkombëtare dhe zakonet e luftës që të sëmurët dhe të plagosurit nuk preken.

MESAZHI I RAMËS

Është thellësisht tronditëse të shohësh pamjet e goditjes me bombë të spitalit Al-Ahli në Gaza, ku qindra e qindra njerëz u masakruan e humbën jetën. Sipas ligjeve ndërkombëtare po edhe zakoneve të luftës, të sëmurët e të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e lëvizshme të kujdesit mjekësor nuk preken. Nuk ka asnjë justifikim, në asnjë rrethanë, për goditjen e infrastrukturës spitalore, civilëve dhe ekipeve mjekësore. Deklarata e kryeministrit Netaniahu se kjo masakër u krye nga vetë Hamasi është drithëruese, por nuk mjafton për ta ndarë të vërtetën nga pretendimet e palëve ndërluftuese. Prandaj të gjitha faktet e mundshme duhet të mblidhen dhe të provohet autorësia e kësaj goditjeje të tmerrshme në themelet e vetë njerëzimit. Hamasi është një kancer në trupin e njerëzimit, por kjo nuk mjafton as për t’i mbyllur sytë përballë pamjeve rrënqethëse të gërmadha të spitalit të bombarduar dhe as për t’u mjaftuar me deklaratën shumë tronditëse të kryeministrit të Izraelit. Në këtë luftë Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike është e përcaktuar në anën e Izraelit të goditur barbarisht nga mizoria e terroristëve të Hamasit! Por bota demokratike duhet të jetë po ashtu garante e të vërtetës për qindra e qindra viktimat e spitalit të bombarduar në Gaza. Prandaj hetimi i fakteve për nxjerrjen e autorëve të kësaj vrasjeje masive dhe dënimi pa asnjë ekuivok i tyre është përgjegjësi e padiskutueshme e detyrim i pashmangshëm i botës demokratike ndaj mbarë njerëzimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article