Ahmed Aboutaleb, kryebashkiak i Rotterdam tha se “Sot ishte një ditë e zezë”.
Një sulmues i vetmuar, i veshur me jelek anti-plumb ka hapur sot zjarr në një apartament dhe në një spital në qytetin port të Rotterdam, duke lënë të vdekur dy persona e duke plagosur një vajzë 14-vjeçare.
Të shtënat kishin krijuar skena paniku në spitalin Erasmus në qendër të Rotterdam, duke përfshirë dhe pacientë në karrige me rrota, raportonin mediat vendase.
Ndërsa të tjere ishin mbyllur në pavionet e tyre duke iu trembur një vrasësi të mundshëm masiv, e duke kërkuar ndihmë nga dritaret.
Kreu i policisë Fred Westerbeke tha për gazetarët se sulmuesi ishte një 32-vjeçar nga Rotterdam. Ai ishte arrestuar në spital teksa kishte në dorë armën e zjarrit. Identiteti i tij nuk është publikuar dhe motivi i sulmeve nuk është bërë i ditur por autori raportohet se po bashkëpunon dhe komunikon me autoritetet.
Fillimisht vrasësi kishte qëlluar për vdekje një grua 39-vjeçare dhe plagosi vajzën e saj 14-vjeçare në apartamentin pranë banesës së të dyshuarit, tha kreu i policisë së qytetit Fred Westerbeke.
Më pas ai kishte shkuar në spitalin Erasmus ku vrau një burrë 46-vjecar që ishte pedagog në spitalin universitar. Policia tha se autori kishte ndezur zjarre në të dy vendet e vrasjeve.
I dyshuari është 32 vjeç dhe motivet e sulmit janë ende të panjohura, raportoi agjencia e lajmeve ANP, duke cituar Policinë.
Policia më herët deklaronte se sulmuesi ishte i veshur me rroba ushtarake.
Top Channel