Në Tiranë u mbajt takimi i radhës tripalësh, i Komitetit Mbikëqyrës të Task Forcës së përbashkët mes Shqipërisë, Britanisë së Madhe dhe Kosovës, kundër migracionit të parregullt dhe bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar. Në të morën pjesë ministri i Brendshëm Shqiptar Taulant Balla, ministri Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla, si dhe përfaqësues të agjencive ligjzbatuese nga Republika e Kosovës, nga Britania e Madhe dhe Shqipëria.
“Shqipëria dhe Britania e Madhe kanë një marrëdhënie të shkëlqyer dhe punojnë çdo ditë së bashku për të arritur objektivat e përbashkëta me synimin promovimin dhe mbrojtjen e sigurisë për qytetarët tanë. Kjo dëshmohet më së miri me uljen e dukshme përtej çdo parashikimi të numrit të emigrantëve të paligjshëm që kanë mbërritur në Britani, nga Shqipëria, por po ashtu edhe në punën tonë të përbashkët për të luftuar krimin e organizuar në të gjitha format e tij”, tha ministri i Brendshëm shqiptar.
Balla uroi gjithashtu ministren britanike Cooper, për marrjen e detyrës dhe u shpreh i sigurt në forcimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
“Është me rëndësi të theksojmë sot faktin se në nëntor të vitit të kaluar, kur pata mundësi të firmos bashkë me kolegun Cleverly, deklaratën e bashkëpunimit për çështjet e brendshme, krimin e organizuar dhe krimet e rënda mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, nga ai moment ky bashkëpunim është intensifikuar dhe kemi regjistruar rezultate të rëndësishme, si në luftën kundër krimit të organizuar, ashtu edhe në drejtim të migracionit të paligjshëm. Ministria e Brendshme, në fushën e saj të përgjegjësisë ka shprehur, – shfrytëzoj rastin këtu të theksoj gatishmërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin operacional në fushën e zbatimit të ligjit, me objektiv themelor, parandalimin dhe ndërprerjen e migracionit të paligjshëm, por pa harruar njëherazi edhe bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar”, theksoi Balla.
Më tej, ministri shqiptar tha se shkëmbimi i informacionit në kohë reale midis strukturave policore dhe bashkëpunimi i ngushtë me SPAK, i shërben parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në vendin tonë.
“Kemi mundësuar dhe arritur kthimin e mbi 4000 personave, të cilët kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe po ashtu të theksoj se Task Forca e përbashkët për migracionin ka operacionalizuar bashkëpunimin tonë për migracionin dhe ka forcuar qëndrueshmërinë e kufirit, duke trajtuar rrugët e përdorura nga grupet e krimit të organizuar, duke kontrabanduar para, drogë, në mënyrë të jashtëligjshme. Këtë verë po bashkëpunojmë në operacione të përbashkëta policore. Jemi shumë mirënjohës për punën e ekspertëve britanikë, të cilët janë vendosur tanimë në Tiranë për të punuar me ne, edhe sa i përket hapave në reformimin e mëtejshëm të Policisë së Shtetit Shqiptar, një pjesë e të cilave po konkretizohet me ligjin e ri për PSH, i cili është në proces miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë. Në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, për vitin 2023, në raport me Britaninë e Madhe kemi realizuar 50 operacione riatdhesimi dhe janë deportuar gjithsej 2250 shtetas shqiptarë për motive nga më të ndryshmet, qoftë për qëndrim ilegal, qoftë për vepra penale që lidhen me kultivimin e paligjshëm të lëndëve narkotike, me refuzim azili, me falsifikim dokumentacioni, për vjedhje, e gjatë këtij 6-mujori të parë të 2024, kemi pasur 25 operacione riatdhesimi me 1120 shtetas të riatdhesuar”, informoi ministri Balla.
Rezultate mund të thellohen me rritjen e bashkëpunimit, përfshirë Kosovën, duke krijuar një mundësi tri-laterale bashkëpunimi, me qëllimin për ta zgjeruar edhe me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, nënvizoi Balla.
“Prania dhe angazhimi personal i Ministrit të Brendshëm të Republikës së Kosovës, z. Sveçla, në këto takime të Komitetit të Përbashkët të Mbikëqyrjes, është një mesazh shumë domethënës për vijimin e intensifikimit të bashkëpunimit brenda nesh për të luftuar fenomene për të cilat ne e dimë fare mirë që nuk njohin fare kufij, qoftë këtu krimi i organizuar apo migracioni i paligjshëm. Rezultate e arritura deri më tani janë mbresëlënëse, por përsëri na duhet të punojmë sa i përket mesazheve që lidhen me inkurajimin e migracionit të ligjshëm dhe dekurajimin e plotë të abuzimit me sistemin e azilit dhe çdo lloj përpjekjeje për të justifikuar kërkesat për azil”, theksoi Balla.
Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm shqiptar, Taulant Balla:
I nderuar Ministër Sveçla,
Përfaqësues të agjencive ligjzbatuese nga Republika e Kosovës, nga Britania e Madhe dhe nga Shqipëria,
E nisa këtë ditë të sotme me një takim shumë produktive me kolegun dhe mikun Sveçla me të cilin diskutuam mbi bashkëpunimin e deritanishëm midis dy ministrive tona, dy policive tona por edhe agjencive të tjera ligjzbatuese në kuadër të Task Forcës së përbashkët, rezultatet e së cilës jemi mbledhur për t’i analizuar sot.
Shqipëria dhe Britania e Madhe kanë gjithashtu një marrëdhënie të shkëlqyer dhe punojnë çdo ditë së bashku për të arritur objektivat e përbashkëta me synimin promovimin dhe mbrojtjen e sigurisë për qytetarët tanë. Kjo dëshmohet më së miri me uljen e dukshme përtej çdo parashikimi të numrit të emigrantëve të paligjshëm që kanë mbërritur në Britani, nga Shqipëria, por po ashtu edhe në punën tonë të përbashkët për të luftuar krimin e organizuar në të gjitha format e tij. Dëshiroj t’i uroj këtu, koleges, Ministres Cooper, suksese në detyrën e saj të re dhe jam shumë i sigurt që do të vazhdojmë ta ngremë dhe forcojmë bashkëpunimin në të ardhmen.
Është me rëndësi të theksojmë sot faktin se në nëntor të vitit të kaluar, kur pata mundësi të firmos bashkë me kolegun Cleverly, deklaratën e bashkëpunimit për çështjet e brendshme, krimin e organizuar dhe krimet e rënda mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, nga ai moment ky bashkëpunim është intensifikuar dhe kemi regjistruar rezultate të rëndësishme, si në luftën kundër krimit të organizuar, ashtu edhe në drejtim të migracionit të paligjshëm. Ministria e Brendshme, në fushën e saj të përgjegjësisë ka shprehur, – shfrytëzoj rastin këtu të theksoj gatishmërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin operacional në fushën e zbatimit të ligjit, me objektiv themelor, parandalimin dhe ndërprerjen e migracionit të paligjshëm, por pa harruar njëherazi edhe bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar.
Shkëmbimi i informacionit në kohë reale midis strukturave tona policore dhe bashkëpunimi i ngushtë me SPAK, i ka shërbyer dhe shërben parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në vendin tonë. Rezultatet e deritanishme duhet theksuar se janë të jashtëzakonshme, tregojnë se bashkëpunimi i strukturave tona është produktiv dhe nuk hezitoj ta cilësoj si shembull suksesi edhe për vendet tjera. Tashmë kemi mundësuar dhe arritur kthimin e mbi 4000 personave, të cilët kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe po ashtu të theksoj se Task Forca e përbashkët për migracionin ka operacionalizuar bashkëpunimin tonë për migracionin dhe ka forcuar qëndrueshmërinë e kufirit, duke trajtuar rrugët e përdorura nga grupet e krimit të organizuar, duke kontrabanduar para, drogë, në mënyrë të jashtëligjshme.
Këtë verë po bashkëpunojmë në operacione të përbashkëta policore. Jemi shumë mirënjohës për punën e ekspertëve britanikë, të cilët janë vendosur tanimë në Tiranë për të punuar me ne edhe sa i përket hapave në reformimin e mëtejshëm të Policisë së Shtetit shqiptar, një pjesë e të cilave po konkretizohet me ligjin e ri për PSH i cili është në proces miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, për vitin 2023, në raport me Britaninë e Madhe kemi realizuar 50 operacione riatdhesimi dhe janë deportuar gjithsej 2250 shtetas shqiptarë për motive nga më të ndryshmet, qoftë për qëndrim ilegal, qoftë për vepra penale që lidhen me kultivimin e paligjshëm të lëndëve narkotike, me refuzim azili, me falsifikim dokumentacioni, për vjedhje dhe gjatë këtij 6-mujori të parë të 2024, kemi pasur 25 operacione riatdhesimi me 1120 shtetas të riatdhesuar. Këto rezultate pa dyshim që mund të thellohen edhe me rritjen e bashkëpunimit me vende të tjera të rajonit ku gjej rastin të vlerësoj maksimalisht gatishmërinë e Republikës së Kosovës, e Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kosovës, për t’u angazhuar së bashku me ne dhe për të krijuar pra një mundësi trilaterale bashkëpunimi me qëllimin e mirë për ta zgjeruar këtë edhe me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Prania dhe angazhimi personal i Ministrit të Brendshëm të Republikës së Kosovës, z. Sveçla, në këto takime të Komitetit të Përbashkët të Mbikëqyrjes, është një mesazh shumë domethënës për vijimin e intensifikimit të bashkëpunimit brenda nesh për të luftuar fenomene për të cilat ne e dimë fare mirë që nuk njohin fare kufij, qoftë këtu krimi i organizuar apo migracioni i paligjshëm dhe pse jo, sikurse e thashë, dëshira jonë e përbashkët, sapo kemi biseduar, edhe dje, edhe sot me Ministrin Sveçla, për ta zgjeruar këtë mundësi edhe me vende të tjera të rajonit. Me synimin e përbashkët që të konsolidojmë rezultatet dhe të ritheksojmë nevojën për mbështetje logjistike dhe pajisje përmes projekteve dhe programeve të përbashkëta të cilat tanimë, një pjesë prej tyre janë në proces diskutimi mes ekspertëve tanë, kryesisht në nevojat që ka qoftë Policia e Shtetit shqiptar, qoftë Policia e Republikës së Kosovës, nevoja këto të paraqitura nga departamentet e Policisë Kufitare dhe Migracionit, por edhe Departamenti i Policisë Kriminale, të cilat do të na ndihmonim të rrisnim bashkëpunimin dhe do të kontribuonin në arritjen e rezultateve maksimale nga të dy policitë tona të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Natyrisht sot, pika të tjera diskutimi të kësaj Task Force është edhe menaxhimi i integruar i kufijve, i cili mbetet një ‘output’ i rëndësishëm i Konferencës Ministrore Rajonale për menaxhimin e integruar të kufirit dhe sigurisë e cila sapo u mbajt në Tiranë mes-majin e këtij viti. Unë e kam thënë edhe në takime të tjera, nuk dua të zgjatem shumë, se na duhet që të kontribuojmë sa më shumë së bashku edhe në promovimin e duhur të rezultateve të arritura deri më tani, të cilat duhet të jenë në funksion dhe në njohjen e publikut dhe të punojmë sa më shumë për dekurajimin e fenomenit të migracionit të paligjshëm. Rezultate e arritura deri më tani janë mbresëlënëse por përsëri na duhet të punojmë sa i përket mesazheve që lidhen me inkurajimin e migracionit të ligjshëm dhe dekurajimin e plotë të abuzimit me sistemin e azilit dhe çdo lloj përpjekjeje për të justifikuar kërkesat për azil.
Jo më larg se dje, me Drejtorin e Përgjithshëm, kemi diskutuar mbi disa raste për mënyrën e goditjes së këtyre formave të përgatitjes në kohë, le të themi, të kërkesave për azil të paligjshëm. Prandaj kjo gjë duhet të theksoj, se duhet shoqëruar, unë ia kam thënë shpeshherë miqve britanikë, duhet të shoqërohet me migracion të ligjshëm nëpërmjet, pikësëpari, lehtësimit të procedurave për bashkim familjar, apo punësim sezonal, të cilat mbeten dy mënyrë efikase për të luftuar migracionin e paligjshëm. Ne shqiptarët e kemi traditë që martesat duam t’i kryejmë brenda vetes dhe një prej arsyeve të migracionit mbetet edhe pjesa që lidhet me bashkimin familjar kryesisht martesa apo bashkim me pjesën tjetër të familjes. Kështu që dhe rezultatet në diskutimet që kemi pasur me kolegët e Ambasadës, edhe në këtë aspekt janë shumë të mira.
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb