Të gjithë drejt Europianit, rriten 60% daljet e shqiptarëve nga Rinasi në qershor

4 months ago 10

Atmosfera në Rinas ishte jashtë normales në qershor. Tifozë të shumtë u nisën për të mbështetur Kombëtaren në Gjermani, të shoqëruar me muzikë, apo me qeleshe në kokë.

Të dhënat zyrtare nga Tirana International Airport (TIA) bënë të ditur se nga data 1-20 qershor janë shënuar 662 mijë dalje të shtetasve shqiptarë nga Rinasi, me një rritje të fortë prej 60% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose rreth 256 mijë persona më shumë.

Të dhënat nuk përfshijnë datën 24, kur u luajt ndeshja Shqipëri-Spanjë.

Në krahasim me pesë mujorin, rritja e daljeve të shtetasve shqiptarë është e dukshme dhe lidhet direkt me interesin e lartë për të ndjekur ndeshjet e Kombëtares.

Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se për periudhën janar-maj, daljet e shtetasve shqiptarë u rritën me rreth 20%, tendencë që ishte pothuajse e njëjtë për çdo muaj nga janari deri në maj.

Nëse kjo tendencë do të vijonte dhe në qershor, pra me një rritje prej rreth 20%, do të kishte rreth 175 mijë dalje më shumë të shtetasve shqiptarë, ndërkohë që realisht ishin rreth 256 mijë persona më shumë që dolën jashtë vetëm përmes ajrit.

Pra nga të dhënat rezulton se janë rreth 85 mijë shtetas më shumë që udhëtuan jashtë, pjesa më e madhe e të cilëve ndoqën dy ndeshjet e Kombëtares me Italinë dhe Kroacinë.Kampionati Europian, zhvendos konsumin por nuk e rrit atë

Pritshmëria apo perceptimi i përgjithshëm është që gjatë kompeticioneve të mëdha sportive, alkooli do të derdhet “lumë” e festa për skuadrat e zemrës do të nxisë më shumë konsum, por në realitet ky kampionat është i zbehtë. Kryetari i Shoqatës së Bar-Restoranteve, Enri Jahaj, tha për “Monitor” se konsumi aktualisht nuk ka ndryshuar në raport me periudhën para kampionatit.

“Perceptimi është që konsumatorët apo klientët janë të njëjtët, nuk është se janë rritur, madje do thosha që ka ndodhur zhvendosja e tyre nga baret tek ato që janë ngritur si ‘Fan Zone’. Pra alkooli që konsumohej në bare nga një pjesë e këtyre klientëve, tani konsumohet në këto zona të posaccme”, – shprehet Jahaj.

Ai vlerëson se sjellja e konsumatorit shqiptar udhëhiqet nga fuqia e ulët blerëse dhe hapësira e kufizuar për këto lloj shpenzimesh e bën konsumin të mos luhatet nga efekti i turneve sportivë.

“Duhet të themi që ne nuk kemi një konsumator të pasur, përkundrazi është një konsumator me fuqi blerëse të kufizuar për këtë lloj shpenzimi.

Baret dhe restorantet angazhohen, apo dhe investojnë për evente të tilla, për të ofruar një përvojë sa më të mirë për klientët, por panorama është e qartë dhe ne jemi të vetëdijshëm që nuk do të ketë ndonjë ndryshim nga normaliteti që kemi zakonisht”.

Aktualisht, konsumi në bare dhe restorante duket se mbetet pa ndonjë rritje të dukshme, duke konfirmuar një sjellje kursimtare jo vetëm të klientëve, por një efekt thuajse anemik edhe të sektorit të turizmit, që aktualisht sipas shifrave të hyrjes së vizitorëve duket të kishte ndikim më të qartë”./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article