Në kuadër të Ditës Kombëtare të Aktivizmit, në Tiranë ka mbërritur aktori i njohur i serialit të famshëm “Breaking Bad”, Roy Frank Mitte.
Aktori amerikan, njëherësh dhe aktivist i të drejtave të njeriut ndau historinë e tij frymëzuese të tejkalimit të stigmës dhe bullizimit me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Jam vërtet i impresionuar nga mënyra se si dikush që ka pasur vështirësi me aftësi speciale ia ka arritur, jo duke bërë ndryshim drastik, jo duke rikuperuar brenda natës, por duke punuar përditë me hapa të vegjël, për të treguar që ndryshimi është i mundur qoftë në jetën personale të dikujt, qoftë në aftësinë personale të dikujt, por edhe në mënyrën si dikush impakton me filantropi, me ndikimin që ka në jetën e njerëzve të tjerë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku e nderoi aktorin amerikan më një ‘Çelës të Qytetit’ të Tiranës
“Shpresoj shumë që ta konsiderosh Tiranën një derë të hapur, një shtëpi të dytë, ku ti mund të kthehesh përsëri”, shtoi Veliaj.
Aktori i mirënjohur e falënderoi kryebashkiakun teksa tha se për Shqipërinë ka dëgjuar mjaft gjëra pozitive.
“Ju vërtet më nderuat me këtë dhuratë! Faleminderit”, u shpreh aktori.
Dita Kombëtare e Aktivizmit është një aktivitet vjetor i organizuar nga Co-PLAN dhe Ambasada e SHBA dhe u organizua në Tiranë si pjesë e Javës Amerikane të këtij viti.
Top Channel