“Tuchel i gaboi të gjitha, Acelotti i bëri mirë” – Capello tregon detajin që e bëri diferencën ne “Bernabeu”

5 months ago 6

Trajneri legjendar italian Fabio Capello e akuzoi Thomas Tuchelin për ‘gabime të pabesueshme’ në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve pasi Bayern Munich kapitulloi ndaj Real Madridit të Carlo Ancelottit.

Capello është një ekspert komentaor në Sky Sport Italia për mbulimin e ndeshjeve evropiane dhe ishte në studio pas ndeshjes së mbrëmshme.

Ndeshja e parë përfundoi 2-2 në Mynih dhe Bayern kryesonte 1-0 në “Santiago Bernabeu” derisa u shkatërrua në dy gola të Joselu në minutat 88 dhe 91.

Capello pa vetëm një njeri për të fajësuar dhe ai ishte trajneri i Bayern Munich, Tuchel.

“Ai i përdori keq të gjitha zëvendësimet, kështu që nuk ishte në gjendje të bënte ndryshimin e pestë. Kishte lojtarë me ngërç, si Pavlovic”.

“Tuchel bëri një gabim strategjik dhe dikush si ai nuk mund të bëjë gabime të tilla të pabesueshme”, ka thënë Capello.

Bayern Munich ishte detyruar në një ndryshim të hershëm kur Serge Gnabry doli i dëmtuar pas 27 minutash, por zëvendësuesi i tij Alphonso Davies hapi rezultatin. Tuchel zëvendësoi lojtarët sulmues Leroy Sane, Jamal Musiala dhe Harry Kane para minutës së 85 -të.

Nga ana tjetër, trajneri i Real Madridit, Ancelotti, dëshmoi përvojën e tij në këtë nivel, veçanërisht me një turne që e ka fituar katër herë tashmë.

“Ancelotti i bëri zëvendësimet e duhura, ai e dinte se Real Madrid mund ta kthente në 15 minutat e fundit”, deklaroi Capello.

Kur bëhej fjalë për taktikat e tij, Capello argumentoi se forca më e madhe e Ancelottit është t’i mbajë gjërat krejtësisht të thjeshta.

“Është ajo që ai tha para ndeshjes, ai thjesht i vendos lojtarët në një pozicion që të japin më të mirën e tyre, të ndihen të lirë dhe të shprehen me potencialin e tyre maksimal”, nënvizoi trajneri i madh italian.

Real Madridi tani do të përballet me Borussia Dortmundin në finalen e Ligës së Kampionëve në stadiumin Wembley të shtunën më 1 qershor. /Telegrafi/ 

Read Entire Article