U arrestua sot në Dubai! Profili i Elson Reçit, si tentoi ta vrasë me tritol Preng Gjinin. Hasmëritë e vjetra mes dy fiseve

2 months ago 11

SPAK ka bërë një tjetër goditje të bujshme ndaj botës së krimit, duke arrestuar në Dubai Elson Reçin. Por kush është Reçi?

Ai mësohet se ka kryer atentatin ndaj Preng Gjinit në Tiranë. Emisioni Shënjestër pak kohë më parë ka publikuar të plotë dosjen e SPAK, ku jepen detaje nga ky atentat. Elson Reçi organizoi atentatin për vrasjen e Preng Gjinit, si hakmarrje për vrasjen e xhaxhait të tij, Kastriot Reçi. Ai ka kontaktuar dhe disa persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore për këtë atentat.

Dosja e plotë e SPAK:

Elson Reçi ka organizuar vrasjen e Preng Gjinit si hakmarrje për vrasjen e xhaxhait të tij, Kastriot Reçi. Ai fillimisht ka kontraktuar shtetasit Besian Xhixha, Enver Diva dhe Robert Laçi, ku ju ka siguruar këtyre të fundit automjetin të cilin do ta përdornin për realizimin e vrasjes.

Si edhe ka instaluar një pajisje GPS në makinën që Preng Gjini përdorte, të cilin do ta monitoronte nga telefoni Enver Diva. Besian Xhixha dhe Enver Diva, rezultojnë pjesë e grupit kriminal të Nuredin Dumanit, sot i penduar i drejtësisë. Elson Reçi kontraktoi Arben Mërkurin, i njohur me nofkën ‘Maneci’ me qëllim që të vriste Gjinin.

‘Maneci’, i ekzekutuar në 2022, nis punën për të vëzhguar çdo lëvizje të hasmit të familjes Reçi. Ai zbulon se Preng Gjini, kishte lidhur një aleancë me Aleksandër Laho i njohur si Rrumi, i cili i mbijetoi një atentati tek mbikalimi i Shkozetit, teksa udhëtonte me ish-prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoj.

Elson Reçi informohet për këtë çështje nga ‘Maneci’, ndërsa vijonte përpjekjet për ta ekzekutuar Gjinin. Nipi i Kastriot dhe Gasper Reçit, mëson se hasmi i tyre banon në zonën e Selitës/Kodra e Diellit, dhe ka ftuar edhe njëherë Besian Xhixhan, Enver Divan dhe Robert Laçin, që të marrin përsipër vrasjen. Por këta të fundit kanë hequr dorë pasi sipas tyre në këtë zonë ata do ta kishin të vështirë të largoheshin pasi të kryenin vrasjen. Këtu nis dhe bashkëpunimi i Elson Reçit me Fatmir Troplinin, i njohur si ‘Miri i Pojës’, djali i Xhevdet Troplinit.

Dosja Hetimore

Nga data 12-14 Gusht 2020, Elson Reçi ka kontaktuar Arben Mërkurin që t’i sigurojë ndonjë person që të kryejë vrasje kundrejt pagesës në qytetin e Tiranës. Dhe për këtë fakt mësohet se Arben Mërkuri ka folur me Fatmir Troplinin. Nuredin Dumani nuk ka dhënë një çmim në momentet e para, pasi kërkonte të dinte vendin se ku do të kryhej krimi dhe objektivi.

Nga shtetasi Fatmir Troplini është krijuar kontakti mes Arben Mërkurit dhe Nuredin Dumanit me qëllim ai të dërgonte lidhjen e Dumanit tek vendi ku ishte objektivi Preng Gjini. Nuredin Dumani nuk ka pranuar të japë çmim për kryerjen e vrasjes pa parë vendin dhe pa njohur objektivin. Arben Mërkuri ka informuar shtetasin Elson Reçi për negociatat që po kryen dhe Elsoni kërkon të mësojë çmimin që kërkojnë në këmbim të vrasjes, por njëkohësisht i kërkon që të mos t’i tregojë objektivin. Më date 14 Gusht 2020 Nuredin Dumani kontakton me shtetasin Arben Mërkuri dhe nis një person për të shkuar për të parë vendin ku do të kryhet vrasja.

Nuredin Dumani

Gjatë kësaj kohe më ka kontaktuar nëpërmjet telefonit Sky ECC, Fatmir Troplini ose ndryshe ‘Miri i Pojës’. Ku më kërkoi që t’i bëja një nder, të vrisja Preng Gjinin, për një mikun e tij që quhej Elson Reçi ose ndryshe ‘Soni’. ‘Miri i Pojës’ më tha që ky miku im nuk ka shumë lek. Unë i thashë që halli nuk mbyllet me pak lek. Më tej ‘Miri i Pojës’ më lidhi vetë me ‘Sonin’. Ku Elson Reçi më ofroi 130-150 000 euro për vrasjen e Preng Gjinit, por unë i kërkova 200 000 euro.

Negociatat mes Reçit dhe Dumanit, ndërpriten kur ai mëson se i penduari i drejtësisë kishte kontaktuar Enver Divën dhe Besian Xhixhën, të cilët kishin dështuar për të realizuar vrasjen, teksa Preng Gjini dilte nga shtëpia e ‘Rrumit’. Por teksa po haste vështirësi në eleminimin e Preng Gjinit, Elson Reçi vendos ta bëjë ekzekutimin me shpërthim të telekomanduar. Edhe pse më herët e kishte provuar sërish në makinën me të cilën lëvizte Gjini, por eksplozivi nuk kishte shpërthyer.

SPAK

Më datë 11 Shtator 2020 në mbrëmje Elson Reçi komunikon me një lidhje të tij ende të pa identifikuar të cilit i tregon që ka bërë prova gjithë ditën, dhe se pulti i telekomandës punon perfekt dhe tani është në Tiranë për ta vendosur në makinën që përdor Preng Gjini. Po në këtë datë dyshohet se Elson Reçi ka arritur ta vendos eksplozivin në makinën me targa AA903YG.

Në ditët në vazhdim ai komunikon me Arben Mërkuri dhe i tregon që ka vendosur eksplozivin poshtë makinës së Preng Gjinit, dhe po pret që ai të hipi në makinë. Më datë 15 Shtator 2020 Elson Reçi komunikon me lidhjet e tij i dëshpëruar pasi Preng Gjini nuk ka mbetur i vrarë. Pasi nuk ishte ulur në krahun ku ishte vendosur lënda eksplozive por në vendin e shoferit.

Po për të ndjekur nga pas Preng Gjinin, Elson Reçit i duhej patjetër ndihma e policisë. E cila mund ta informonte në kohë reale për hyrje-daljet e tij nga Shqipëria. Ku nga bisedat del se në shërbim të Elson Reçit ishin vendosur Klodian Shahini, me funksion Shef i Sektorit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë. I cili kryente verifikime në sistemet e policisë së shtetit, për lëvizjet e Preng Gjinit.

Dosja Hetimore

Elson Reçi kishte një komunikim të vazhdueshëm me Klodian Shahinin, i cili për llogari të tij verifikonte çdo makinë që ai dërgonte. Verifikime të bëra nga Klodian Shahini për targa mjetesh, të cilat përfundonin në përdorues të tjerë të Sky ECC, të përfshirë në aktivitete kriminale. Elson Reçi bëri çdo përpjekje për ta hequr qafe hasmin, por nuk ia doli. Ndërkohë që paralelisht, bashkë me Klodian Shahinin, Elson Reçi rezulton se kryente kultivim të lëndëve narkotike në zonë.

Por Shahini, nuk ishte i vetmi zyrtar vendor që është i dyshuar për lidhje me pjesëtarët e grupeve kriminale. Një tjetër drejtor i cili ka rënë në bisedat e Sky ECC, është Henerigert Mitri që si Drejtor i DVP Lezhë, në dijeni të plotë nuk ka marrë masa për parandalimin e organizimit të lojrave të fatit. Përkundrazi ka bashkëpunuar me biznesmenin Pëllumb Gjoka, i arrestuar më herët në kuadër të Operacionit ‘Metamorfoza’. Biseda këto që përftohen edhe nga komunikimet e Pëllumb Gjokës dhe Oltian Bistrit, ku Henerigert Mitri përmendet si ‘Gerti drejtori’. I cili nuk duhet të kishte marrë përsipër mbulimin e kësaj veprimtarie pa marrë dakordësinë e eprorëve.

Dosja Hetimore

Tregues i mënyrës se si ka vepruar Henerigert Mitri në detyrën e drejtorit të DVP Lezhë është fakti që orienton Pëllumb Gjokën se ku duhet të japë rryshfet që në këmbim të zhvillojë aktivitetin e kundraligjshëm, Po ashtu, konstatohet edhe shqetësimi i personave që kultivojnë ‘Cannabis Sativa’ pas largimit të Henerigert Mitrit nga drejtor i Policisë së Lezhës. Çka krijon dyshime se ai ka qenë i përfshirë në kultivim.

Vetë fakti që Henerigert Mitri i dërgon shkresën me koordinata në Sky ECC Klodian Shahinit, është bërë me qëllim njoftimin ose kontrollin nëse në ato pika ku ka patur parcela me kanabis nga bashkëpunëtorët e tyre. Si dhe të marrë masa për t’i njoftuar personat që të heqin bimët. Pasi në rast të kundërt nëse ka dëshiruar t’i asgjësonte bimët dhe t’i gjente përgjegjësit nuk ka patur nevojë për të përdorur Sky ECC, por mund të vepronte në rrugë zyrtare me email apo mënyra të tjera. Po ashtu Klodian Shahini, ka vepruar i pashqetësuar duke përfituar edhe nga fakti se me Henerigertin kanë qenë në një linjë veprimi. Shqetësimi i Klodianit fillon pas largimit të Henerigert Mitrit nga drejtor i DVP Lezhë, ku i kërkon personave që kultivojnë që të gjejnë kontakte të tjera për të qenë më të sigurtë.

Përfshirja e policisë dhe lidhja me krimin nuk përfundon këtu.

Altin Morina, një ish-oficer i forcave elitë RENEA, i arrestuar më herët pasi në makinë iu gjet një shumë e madhe parash, rezulton se kishte krijuar një grup të strukturuar kriminal për kultivimin e lëndë narkotike.

SPAK

Ky grup dyshohet se ka një nivel minimal organizimi dhe strukturimi. Durim Bami dyshohet se është në rolin e organizatorit në lidhje me kultivimet e bimëve narkotike në parcela të ndryshme në zonën e bashkisë Krujë, në pajisje dhe burime njerëzore.

Altin Morina si dhe shtetasi i paidentifikuar deri më tani dhe me nofkën ‘Drejtori’ dyshohet se kishin rolin e garantorit, kundrejt pagesave të ndryshme monetare në rastet e kultivimit të bimëve narkotike nga persona të tretë, për mosndërhyrjen e policisë në parcelat e mbjella me bimë narkotike dhe më pas asgjësimin e këtyre bimëve. Adrian Pikli, është ish oficeri tjetër i RENEA-s i cili po ashtu dyshohet të ketë bashkëpunuar me eksponentë të krimit për çështje të trafikut të armëve.

SPAK

Nga ana jonë është kryer analizimi i komunikimeve të kryera nga shtetasi Deivis Barjamaj me kontakte të tjera dhe është bërë e mundur identifikimi i një bashkëpunëtori të tij të ngushtë të quajtur Adrian Pikli. Këta dy shtetas kanë një intensitet të lartë komunikimesh me njëri-tjetrin dhe bisedat mes tyre janë kryer me qëllim zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të prodhimit dhe shitjes së armëve dhe municioneve.

Të dy këta shtetas kanë një bashkëpunim të qëndrueshëm në zhvillimin e këtij aktivitetit duke siguruar armët dhe municionet, modifikimin e tyre, krijimin e kontakteve me personat e interesuar për blerje dhe shitjen e tyre me qëllim përfitimin monetar. Në periudhën e komunikimeve shtetasi Adrian Pikli rezulton i punësuar në institucionin e Policisë së Shtetit dhe konkretisht në repartin RENEA. Ky shtetas duke shfrytëzuar pozicionin si punonjës policie krijon lehtësira për zhvillimin e këtij aktiviteti të paligjshëm të organizuar nga ai vetë dhe bashkëpunëtori i tij. Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli sigurojnë armë dhe municione brenda territorit të Shqipërisë por në raste të caktuara shprehen që i trafikojnë edhe nga shteti i Serbisë dhe Kosovës.

Hetimi i SPAK mundi të hedhë dritë edhe mbi dhunimin e bashkëshortit të gjyqtares së Posaçme të Apelit, Saida Dollani, një ngjarje e cila dyshohet të jetë organizuar nga Emiljano Shullazi, Arben Ndoka dhe Ervis Martinaj. Sipas SPAK, Shullazi donte me çdo kusht që Dollani të mos ishte pjesë e trupës që gjykonte dosjen e tij penale, ku akuzohej për gjobëvënie ne kuadër të grupit kriminal.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article