“Ulsia i ngjante mjekrës së vet. Ishte krejt i përzhitur, Klosi donte të flinte”, satira e Gjekmarkaj: Dash Sula shkrofetin në dhimbje dhe Muçua euroatlantiku i rënë nga fiku

4 months ago 15

Nga Agron Gjekmarkaj

Kronikë për  dy të tretat!

Dikujt i ka rënë në sy ngjitja e Ogit në paragrafet e “kronikes” si shënjë suksesi e rangu. Xhelozia po rrëshket sokaqeve si shi.

Të interesuarit duhet ta dinë që Babua nuk ka ndërhyrë e gjitha është falë meritës së saj.

Ai vetëm për Borën kujdeset, thjesht na ka thënë vazhdoni kështu se jeni në rrugën e hallallit. Më pas ka çuar një habrr tërthorazi.

Marifet që mos të hyjë në borxh e të na e dijë as për nder. Mamica të ketë akses si Rozafa, një sy, një dorë e të tjera brenda saj për të qenë i informuar, për të shpërndarë kumte të mallkuara si ai me dy të tretat që do ikin dhe një të tretat që do rrinë me të cilat do merremi më poshtë. Prishur mos qoftë. Mezi e kemi viranin!

Dje Nikoqiri i tha Ogit me një tonalitet të përvajshëm “je me fat, moj shoqja ime/se shpëtove për një qime/ une se di çfarë vjen nga prapa/them ndonjëherë kaq e pata/Babo të zgjodhi me dorë/kur t’hoqi atë këmborë/tash e keqja te vjen anës/ dopjua në dorë të Albanës/ Ogi belasë i ike nga këto punët onkologjike/.

Pas shumë kohësh rastësia e poq Nikoqirin me Damon i cili që nga koha kur i tha Ditmarit se Damon ti ma ke prezantuar nuk ishin pjekur! Deshën s’deshën u ngjatëtuan. Damua kafshoi gjuhën e mbajti dorën. Albana Koçiu ngjante si e hypur në koçinë e karontit.

Po ashtu që në sabah ra në sy një dialog mes Tonit dhe Etildes, ky i fliste butë mes rënkimesh me zë predikues tek kyçet i thernin dhe brengat e lodhnin. ‘A dëgjon bija ime?’ Ajo buzëqeshte ëmbël e me nge, larg prej seriozitet kërcënues e mbrojtës, duke i thënë ‘amin, po At gjykimet e tua janë rruga, ato të Shalsit ura, të Çuçit shtegu, të Taos korija, te Mimisë drita, të Majkos puhiza, të Babos e vërteta ”!

Nga syzet për një çast na u duk si Delina. Qe Jorushi ajo që e preu enigmën gordiane me shpatën e njohjes e tha: kjo është vetë Etilda gjysma ime në PS. Klosi hapte me gojë herë pas herë me pagjumësinë si shqetësim madhor e mungesën e përqëndrimit si minor. Ulsia i ngjante mjekrës së vet. Ishte krejt i përzhitur.

Për një moment patëm iluzionin se paqja oça oça mes Liderit në perspektive Gazit dhe Belës së qeverisë po vendosej kur ajo shfaqi gatishmërinë për ti dhënë atij gjithë informacionin që ajo zemër e trazuar kërkonte.

Por ashtu nuk qe, plasi sherri e zallamahia, poterja e vikamat aq sa edhe Kosta i Gramozit e Linditës nuk e pa të udhës të nderhynte duke thënë se kjo luftë duhet bërë deri në fund, kush të mbetet gjallë t’i gëzohet jetës dhe iku. Në kësi rastesh mbaj gjithmonë një tas që e vura në kokë për të shpëtuar rradaken.

Dilua nuk ndihej mirë ankthi në do jetë tek dy të tretat që sosen apo tek një e treta që mbetet i sembon të uruarit. Një ditë e patën ftuar në Dodovec për llallën e re, nuk pat shkuar, ndoshta ata janë ankuar tek Babua me letra si dikur!

Baftua po kaq nuk vajti në një festë syneti në Grecalli e tani i është bërë qejfi qeder në mos i kthehet në ters. Laerti edhe pse e çmon shumë tabanin popullor e hokat e miletit një ditë qëlloi pa nge kur Tezja organizoi një ziafet me kërmë me Termenë në Zhapopikë? Të paktën të kishte qëne kur u kënduan këngë për Babo komandantin. Por ajme jo…Tezja kishte buzëqeshur ligsht.

Edhe Xhemali e barte një maraz. Në Zgafnorë e ftuan në dasëm po nuk gjeti kohë ti begeniste, pse paçe e pilaf do ha unë paskësh thënë? Dikush e ka dëgjuar dhë muhabeti është ngjitur lart. Nasipi gjithaq me pengje! Skraparlinjët kanë hapur llafe që e levdon kot rakinë e Skraparit se në Tiranë i mbush bulçinjet me uiski. Ky fakt zemeratë ka shkaktuar atyre maleve.

Ismet Beqiri i qënkesh hakerryer një cjapi në Çorrush, të hëngërt mortja ose Babo more zgafyell! Të pranishmit ishin indinjuar për shënjen e barazimit ndaj druan se aq qe, iku. Se duhej ti kishte thënë o të hëngert Babua o e paç jetën e gjatë.

Arben Pllumbi dje habiti të madh e të vogel. Tre fjalime lexoi me gjasë tek një e treta do mbetet. Bujari i Lushnjes e di që vetem faqorja nuk e tradheton se partia ta fut ndaj e shtrengon atë siç shtrengohen gjërat me rëndësi.

Petrua duket i qetë, vret mendjen në ka thënë ndonjë gjë në kokën e vet ndonjëhere?! Nuk i rezulton, ndaj rehatohet. Nuk ka stres. Blerua ndonëse përsoset në dukje e sqimë ngjan sikur harrohet dhe i ngjan vetja në purgator. Po kerkon rrugën e Parajsës.

Ermua qerratesha ka ditë që po vishet bukur dhe një ndezulli e brendshme si gëzim e karakterizon të uruarën. Salianji erdhi në mes të ditës duke kqyrur me shpoti gjithçka e gjithkënd, dukej si i pari i çetës së xhindërve. Nallbati lëngon pa derman. Dash Sula shkrofetin në dhimbje.

Kryezëvendës Lideri Muli foli gjatë drejtimit tim të seancës sa deshi e çfarë deshi për inatin e Erit të Braçajve ndonëse ai firaun i njeh mirë hilet e zanatit. Na e bëri zemren mal i bekuari naaa firar u bënë ministrat para asaj flake.

Në darkë shkuam në festën e Pavarësisë së SHBA, u kënaqem. Më shumë nga të gjithë Muçua i cili shtynte të dilte në rresht të parë, euroatlantiku i rënë nga fiku, qeshte i i lumtur si njeri që vetëm ai i thith si duhet dhe dehet nga mesazhet e aleatit të madh i gatshëm të përqafojë ambasadorin a në mos të puthë podiumin e drunjtë.

Qe edhe Bakja i Republikës gjithmonë i druajtur e i hutuar mos i thonë po ti çdo ketu, hajt ik nashi?! Baba Mondi solli hare e gëzim mes një grupi ministreshash teksa i bekoi e daroviti. Unë që të marr pak vëmendje nga njerëzia ndenja me zonjën Gride e zotin Bert.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article