Pazaret e prishura të drogës apo hasmëritë kanë shënuar shumë viktima në vendin tonë. Por plumbat e shkrepur jo gjithmonë kanë marrë jetën e të përfshirëve në krime.
Njerëz të pafajshëm shpesh herë kanë qenë “efekt anësor” i atentateve të kryera në mes të ditës, në ambiente publike.
Lexo edhe :
Related Posts
Rasti më i fundit është ai i Shkodrës, ku atentati që kishte si objektiv vëllanë e Ibrahim Licit, një emër mjaft i njohur në botën e krimit, la të vrarë një grua dhe të plagosur rëndë bashkëshortin e saj.
Flutura dhe Bashkim Basha po ktheheshin në shtëpinë e tyre me motor, por automjeti ndaj të cilit u zbrasën plumbat i aksidentoi, duke rezultuar fatal për çiftin e bashkëshortëve.
Ky rast vjen pak kohë pas një tjetër ngjarjeje të rëndë. Enea Thomaraj humbi jetën pas një shpërthimi me tritol në derën e fqinjëve të tij, motrave Nikolli.
29-vjeçari ra viktimë e shpërthimit të fortë që shembi derën e banesës së tij dhe ndonëse objektiv ishin dy motrat, asnjëra prej tyre nuk u lëndua.
Vrasja e kamarierit Gledio Muka dhe klienti, Marsel Çela
Mbrëmjen e 21 korrikut 2024, në një lokal në Memaliaj, mbetën të vrarë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa. Por, po ashtu, u vranë edhe kamarieri Gledio Muka dhe klienti Marsel Çela, të dy të pafajshëm dhe pa asnjë lidhje me botën e krimit.
Vrasja e banakieres Mimoza Pajës në Don Bosko
Mimoza Paja po punonte për të siguruar ‘bukën e gojës’, kur një breshëri plumbash i mori jetën. Ngjarja u regjistrua më 12 mars të vitit 2023, ku një autmojet qëlloi me breshëri drejt lokalit ku e ndjera ishte e punësuar.
Po ashtu, e gjendur në skenën e krimit ishte edhe mbesa e saj e mitur, e cila mori lëndime nga thyerja e xhamave. Ndërsa 5 persona të tjerë morën plagë në pjesë të ndryshme të trupit nga plumbat, por fatmirësisht nuk rezultuan në fatalitet.
Lokali ishte në pronësi të Fatjon Muratit, i dyshuar si i përfshirë në masakrën e Fushë-Krujës, ku u ekzekutuan Brilant Martinaj, Besmir Haxhia dhe Diklen Vata.
Shumë viktima, asnjë autor
Këto janë vetëm disa nga rastet fatale, ku qytetarë të pafajshëm janë vrarë nga krimi i organizuar, ndonëse nuk ishin objektiv i këtij të fundit.
Në kohën dhe vendin e gabuar, viktimat lanë pas dhimbje të madhe për familjet e tyre, por edhe pasiguri të shumta mbi sigurinë e qytetarëve në vend.
Ndonëse ngjarjet kanë tronditur opinionin publik, për asnjë nga të vrarët nuk është bërë drejtësi, pasi ende nuk ka asnjë të arrestuar mbi këto atentate./vizionplus.tv