Vizita e Burns në Kosovë – doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare zbardhen prapaskenat, zbulon disa detaje!

3 weeks ago 10
Reklamë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Drejtorin e CIA-s, William Burns.

Në komunikatën e Qeverisë, thuhet se kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.

Kjo vizitë mori vëmendjen nga opinoni publik, ku është opozita e cila hamendësonte që nuk do të ketë takim mes Kurtit dhe Burns.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca.

Ai thotë se Burns ka informacione për sigurinë e brishtë të sigurisë në rajon andaj qëllimi i tij kryesor ka qenë përçimi i mesazheve të qarta në nivel personal.

Image

Mirsad Voca

Duke theksuar Serbinë e cila është një nga shtetet që ka potencialin më të madh për të destabilizuar rajonin.

Vizita e fundit e drejtorit të CIA-s, Ëilliam Burns, në tri vende të Ballkanit Perëndimor, përbën një zhvillim të rëndësishëm që nuk duhet të neglizhohet, sidomos kur shqyrtohet në kontekstin e situatës së sigurisë në rajon. Burns, si një nga figurat më të larta të inteligjencës amerikane, nuk kryen udhëtime të tilla pa një arsye të mirëfilltë dhe pa pasur informacione të sakta mbi gjendjen e brishtë të sigurisë në këtë rajon të trazuar. Qëllimi i tij kryesor ka qenë përçimi i mesazheve të qarta në nivel personal, si dhe dëgjimi i palëve të përfshira për të marrë një vlerësim të drejtpërdrejtë të versioneve që ato kanë për të ofruar lidhur me sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Një nga shtetet më të përmendura në këtë kontekst është Serbia, e cila është parë tradicionalisht si aktori i vetëm me potencialin më të madh për destabilizimin e rajonit. Veprimet dhe retorika e saj shpesh kanë qenë burim tensionesh në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Megjithatë, vizita e Burns duket se ka dhënë një efekt të menjëhershëm mbi liderët e rajonit”, u shpreh ai.

Më tej, profesori prek edhe mundësinë për destabilizim në Bosnjë e që një gjë e tillë nuk tolerohet.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, pas takimit me Burns, kryetari i Republika Srpska, Milorad Dodik, ndryshoi tërësisht qëndrimin e tij. Nga një qëndrim sfidues dhe separatist, Dodik ka kaluar në një diskurs më të zbutur, duke deklaruar se nuk ka qenë kurrë për ndarjen e Bosnjës. Ky ndryshim rrënjësor sugjeron një ndikim të drejtpërdrejtë të presionit ndërkombëtar, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë bërë të qartë se destabilizimi i Bosnjës nuk do të tolerohet.

Në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq, pas takimit me Burns, ka dhënë premtime të rëndësishme lidhur me trajtimin e çështjes së sulmit në Banjskë të Kosovës, një ngjarje që ka shkaktuar shqetësime të mëdha në rajon dhe përtej. Vuçiq është zotuar se do të bashkëpunojë me autoritetet ndërkombëtare dhe do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të adresuar këtë incident në përputhje me kërkesat që i janë bërë nga faktori ndërkombëtar. Ky zotim i Vuçiqit tregon për rëndësinë e ndërhyrjes diplomatike në nivel të lartë dhe përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon”, shpjegon profesori.

Në bised e sipër Voca thotë që vizita e Burns është sinjal i qartë i mbështetjes së SHBA për sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Vizita e Burns në Kosovë është gjithashtu një sinjal i qartë i mbështetjes së SHBA-së për sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Ajo tregon për rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit në fushën e inteligjencës dhe sigurisë midis SHBA-së dhe Kosovës, një bashkëpunim ky që është jetik për të siguruar një veri të integruar të Kosovës. Retorika serbe që pretendon se serbët e Kosovës janë në rrezik është një manipulim i qëllimshëm i informatave, një vazhdimësi e politikave destabilizuese që datojnë që nga epoka e Millosheviqit. Përmes kësaj vizite, SHBA ka dërguar një mesazh të qartë se nuk do të tolerojë përpjekje për destabilizim dhe se mbështetja e saj për Kosovën mbetet e palëkundur”, thotë Voca.

Rusia dhe ndikimi i saj në rajon

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare preki edhe ndikimin rus në rajon, duke shtuar që nuk duhet injoruar, pasi e njejta e përdor Serbinë për të përhapur tensione.

Ndërkaq, ndikimi rus në rajon mbetet një faktor destabilizues që nuk mund të injorohet. Rusia, përmes aleancës së saj me Serbinë, synon të përhapë tensione në Ballkan dhe të përdorë rajonin si një mjet për të shpërqendruar vëmendjen ndërkombëtare nga agresioni i saj në Ukrainë. Kremlini ka interesa të qarta në mbajtjen e Ballkanit në një gjendje të paqëndrueshme, duke shpresuar të pengojë integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Përmes mbështetjes së grupeve separatiste dhe retorikës nacionaliste, Rusia kërkon të krijojë çarje të reja në Ballkan, duke përkeqësuar më tej situatën e sigurisë”, shtoi ai.

Poashtu Voca përmendi edhe partitë opozitare duke shtuar që në Kosovë, sfidat nuk vijnë vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda, ku partitë opozitare kanë treguar një mungesë të theksuar të konstruktivitetit në rolin e tyre.

Në Kosovë, sfidat nuk vijnë vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda, ku partitë opozitare kanë treguar një mungesë të theksuar të konstruktivitetit në rolin e tyre. Opozita shpeshherë ka reaguar me nxitim dhe me deklarata të pamatura, që më pas kanë rezultuar qesharake dhe të pavlefshme. Për të qenë një opozitë efektive, është e domosdoshme që këto parti të mësojnë të jenë konstruktive, të identifikojnë me saktësi boshllëqet dhe dobësitë e qeverisë aktuale, dhe të adresojnë tema me rëndësi që ndikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe stabilitetin e vendit. Ndryshe, këto përpjekje të pasuksesshme të opozitës i ngjajnë një autogoli në politikë, duke i sjellë vetvetes humbje dhe duke minuar besueshmërinë e tyre në sytë e qytetarëve”, foli Voca.

Në fund, ai nënvizon që vizita e Burns është një mundësi e rëndësishme për të forcuar pozicionin e saj në skënën ndërkombëtare.

“Vizita e Burns dhe ndikimi i saj në rajon dëshmojnë për rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë dhe të angazhimit diplomatik në çështjet e ndjeshme të sigurisë. Për Kosovën, kjo përbën një mundësi të rëndësishme për të forcuar pozicionin e saj në skenën ndërkombëtare dhe për të avancuar drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të integruar në bashkësinë euroatlantike”, përfundoi Voca për “Bota sot”.

Read Entire Article