Votohen ministrat e rinj/ Çfarë ndodhi sot në Kuvend, opozita pengoi Presidentin të flasë

10 months ago 23

Viti i ri nuk ndryshoi strategjinë e demokratëve në seancën e parë plenare.

Bllokimi i foltores parlamentare  vijoi jo vetëm në sytë e socialistëve por edhe në sytë e ambasadorëve britanik e gjerman, të cilët i kishin ftuar në rrjete sociale palët politike të dialogojnë.

Të njëjtin qëllim me nisjen e sesionit të ri parlamentar e kishte edhe presidenti Bajram Begaj, por me ardhjen e tij në Kuvend nuk i qetësoi gjakrat.

“Presidenti erdhi si shërbëtor i përulur i Edi Ramës për të bekuar ndryshimet e ligjit që dhunon opozitën, ndryshimet e ligjit që i heq opozitës çdo të drejtë kushtetuese. Erdhi si një ministër propagande. Sot Presidenti i Republikës u pa qartë para gjithë shqiptarëve se nuk është faktor bashkues”, u shpreh Flamur Noka.

“Edhe pse opozita kishte njoftuar vijimin e këtij aksioni, akti i sotëm ishte provokim i deputetëve të opozitës  i bëj thirrje të heqë dorë si palë si vartës i maxhoranxës dhe të respektojë kolltukun ku është ulur. Nëse dëshiron të dalë hapur si vartës si Edi Ramës, për opozitën i tillë do të trajtohet”, tha Gazment Bardhi.

Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit me përjashtime të deputetëve deri në 2 muaj në rast përdorimi të flakadanëve apo dhunës fizike bënë që rithemelimi dhe grupi i Gazment Bardhit mjetet e aksionit t’i përshtasnin. Tymuesit i zëvendësuan me zhurmues, të cilat i përdorën jo thjesht brenda sallës por edhe jashtë saj në momentin kur po fliste Lulzim Basha.

“Dita e sotme provoi se interesat e qeverisë nuk janë normaliteti politikë, llogaridhënia dhe mbajtja e përgjegjësisë, por vazhdimi i teatrit me skenarë dhe regji të Edi Ramës që pamundëson zërin e opozitës, pamundëson mbajtjen e përgjegjësisë dhe dhënien e llogarisë që është dhe funksioni kryesor i Parlamentit”, tha Basha.

Pavarësisht kaosit kuvendor, mazhoranca e pandikuar miratoi ndryshimet në qeveri, shkarkimin e ministres së Kulturës, Elva Margariti dhe emërimin e Blendi Gonxhajt në krye të ministrisë së ekonomisë, kulturës she inovacionit; duke i përgjysmuar edhe pozicionin Ervin Metes vetëm në ministër Financash. Duartrokitjet e  socialistëve u mbytën nga fyerjet e opozitës, veç grupimit të Bashës, i cili dhe vetë u shfaq indiferentë duke folur në telefon në mes të zhurmës.

Sali Berisha me karrigen bosh në Parlament, e ndoqi aksionin e porositur nga ballkoni i shtëpisë në arrest.

Top Channel

Read Entire Article