Vrasja e 17-vjeçares dhe gjyshit të saj, si nisi hasmëria mes fiseve Qukaj e Prroj, si shpëtuan dy autorët e krimit…

4 months ago 16

Vrasja e dyfishtë, por mbi të gjitha e një vajze të pafajshme, në një moshë të tillë, dhe për më tepër pas shpine, sigurisht që tronditi mbarë opinionin publik. Por edhe vetë ata që bënin be mbi kanun, të cilët ishin prekur rëndë në nderin e tyre të malësorit, që nuk pranon jo vetëm pushkën mbi një grua, dhe aq më pak pas shpine.

Tashmë përtej kanunit të përdhosur në këtë rast, detyra për të hetuar ngjarjen dhe për të çuar drejt bangës së akuzës, vrasësit e gjyshit dhe mbesës, i takonte organeve ligjzbatuese.

Çuditërisht në këtë rast, jo vetëm nuk e hetuan plotësisht krimin dhe dinamikat në të cilën ndodhi, por e mbyllën dosjen, duke lënë të lirë autorët e dyshuar të ngjarjes.

Emisioni “Në Shënjestër” në News24 i gazetares Klodiana Lala hedh dritë mbi atë se çfarë ndodhi pas krimit të dyfishtë dhe mbi autorët e dyshuar, apatinë e organeve ligjzbatuese dhe si i shpëtuan drejtësisë të dyshuarit.

Por cila ishte ngjarja që i parapriu asaj të vrasjes së Marije dhe Kolë Qukaj?

Pse fisi Prroj, u hakmorr kaq egërsisht mbi pjesëtarët e fisit Qukaj, sa nuk kurseu as gjakun e Marijes së re, më të pafajshmes në këtë histori?

Cila ishte përplasja midis dy fiseve, që shënoi në harkun e dy viteve 3 të vrarë? Sikur të mos ndalej dora e përgjakur, mund të kishte pasur një përfundim edhe më të trishtë në numrat e jetëve të humbura.

Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’, përplasja që më pas kulmoi në hakmarrje të përgjakur, ishte vrasja e shtetasit Ndoj Prroj, i cili u qëllua në oborrin e banesës së tij nga një prej pjesëtarëve të fisit Qukaj, që më pas u arrestua në lidhje me krimin.

Por që arrestimi i tij, duket se nuk e kënaqi fisin Prroj, që ndërkohë përgatiti në heshtje intrigën e shlyerjes së gjakut me gjak.

Dosja Hetimore

Vrasja e Marije dhe Kolë Qukaj, më 14 Qershor 2012, mendohet se ka ndodhur për motive hakmarrje.

Kjo pasi më datë 7 Korrik 2010, në oborrin e banesës së tij në fshatin Kir, Njësia Administrative Pult, Bashkia Shkodër, është vrarë shtetasi Ndoj Dedë Prroj, i datëlindjes 1948.

Ku për këtë ngjarje është arrestuar shtetasi Gjok Martin Qukaj.

Pra siç shikohet si vrasja e parë e Ndoj Prroj, ashtu edhe ajo e dytë e Marije dhe Kolë Qukaj, kishte ndodhur në një njëjtin fshat.

Në këtë rast Kir, ku dy familjet jetonin ndoshta prej shekujsh me njëra-tjetrën. Në mos kishin hyrë dhe dalë, apo kishin lidhur krushqi, midis tyre.

Por cila ishte lidhja e Gjok Qukaj me Kolë dhe Marije Qukaj dhe përse hjekësit, u hakmorrën ndaj këtyre të fundit.

Sipas të dhënave, Gjok Qukaj, në këtë rast qitësi i Ndoj Prroj, i mbetur i vrarë në oborrin e banesës së tij në vitin 2010, ishte djali i vëllait të Kolë Qukaj, i mbetur i vrarë dy vite më pas bashkë me mbesën e tij Marijen, në arën me të lashta, pranë banesës së tyre në fshatin Kir.

Ndërkohë që Marija, 17 vjeçe, ishte vajza e Marashit, djalit tjetër të Kolë Qukaj, i cili nuk del se ishte i përzier në përplasjen me armë që kishte ndodhur midis njërit prej vëllezërve të tij, në këtë rast Gjokës dhe fisit Prroj.

Dosja Hetimore

Lidhur mbi vrasjen e ndodhur më datë 7 Korrik 2010, në oborrin e banesës së tij në fshatin Kir, të shtetasit Ndoj Dede Prroj, i datëlindjes 1948, për këtë ngjarje del se është arrestuar dhe dënuar shtetasi Gjok Martin Qukaj. Ndërsa autor të vrasjes së shtetasve Marije dhe Kolë Qukaj, del se janë shtetasit Vladimir Ndoj Prroj, 32 vjeç, dhe Arjan Nik Prroj 43 vjeç, banues në  Shkodër.

Pra siç del nga hetimet, një nga autorët e dyshuar të vrasjes së dyfishtë të Marije dhe Kolë Qukaj, është një nga djemtë e Ndue Prroj, të vrarë në vitin 2010 në oborrin e banesës së tij në fshatin Kir në Shkodër, i cili më pas, bashkë me kushëririn e tij u shpall në kërkim për disa vepra penale.

Dosja Hetimore

Vladimir Ndoj Prroj, dhe Arjan Nik Prroj, banues në  Shkodër, dy autorët e dyshuar të kësaj vrasje janë shpallur në kërkim dhe materialet janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale ‘Vrasje në rrethana cilëuese, kryer në bashkëpunim’, si dhe ‘Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake’. 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article