Në rubrikën “Opinion” në News24, është diskutuar mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Pogradec, pasditen e së shtunës, ku si pasojë e dhunës humbi jetën 42-vjeçari Eglantin Proga, baba i dy fëmijëve.
Aktivisti dhe inxhinieri Azmer Duleviç tha se ka pasur një komunikim të shkurtër me familjarë të viktimës, të cilët kërkojnë vetëm drejtësi. Ai tha se nisur nga fakti se viktima ishte familjar dhe ka lënë dy fëmijë jetimë, ka ndërmarrë një nismë për të mbështetur familjen e 42-vjeçarit, aq sa mund të kenë mundësi qytetarët, dhe në këto kushte ka folur me familjarët e Egli Progës.
“Ne duhet të reagojmë si qytetarë, kjo është arsyeja pse është thirrur në datën 19 gusht, në orën 19:30, një marshim, për të thënë se ne jemi kundër këtyre situatave, që institucionet të mos guxojnë të fshehin apo deformojnë të vërtetat, që ai i forti apo gjobëvënësi të mos frikësojë atë që konsiderohet i dobët apo atë familjarin”, tha Duleviç.
Ai tha se çdo sistem kamerash i ruan filmimet në hard disc. “Nëse nuk ka dvr, atëherë më e thjeshtë është çmontimi i hard disc, është një proces që zgjat vetëm 5 minuta. Pajisjet elektronike lenë gjurmë dhe nëse ka pasur ndërhyrje kjo zbulohet”, tha Duleviç.
Ai zbuloi se Egli (viktima) ishte punonjës i OSHEE dhe është e papranueshme që s’ka asnjë mesazh ngushëllues nga ky institucion për humbjen e jetës së 42-vjeçarit.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb