‘Vrulli” i LDK-së e PDK-së, vinë parashikime jo të mira për Hamzën e Abdixhikun: Nuk do ketë befasi, Kurti fiton sërish!

1 day ago 20

Zgjedhjet parlamentare janë afër, si dhe ‘lufta’ e partive opozitare ndaj partisë në pushtet ka filluar.

Së fundi, dy partitë më të mëdha opozitare, LDK dhe PDK, mbajtën tubimet/konventat e tyre në lidhje me programet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë.

Fillimisht, u mbajt Konventa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Bedri Hamzën Kryeministër që në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Ky tubim mori vëmendje mediale, ku me theks të veçantë u potencua fjalimi i kandidatit për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza.

Kjo parti u kritikua për sloganin zgjedhor, derisa kandidati i saj për kryeministër në këtë tubim filloi me premtime që në qendër kishin ekonominë, pa prekur fare disa çështje tejet të rëndësishme që po përballet vendi si dialogu me Serbinë.

Bedri Hamza në cilësinë e kandidatit për Kryeministër nga radhët e PDK-së, shpalosi programin e tij para qytetarëve të Kosovës, të cilin tha se e ka bazuar në pesë shtylla kryesore.

Zhvillim i qëndrueshëm ekonomik; Jetë më e mirë për secilin; Arsim për të ardhmen; Sistem shëndetësor me pacientin në qendër; Një Kosovë e sigurt dhe e integruar, janë pikat që Hamza i ka cilësuar si jetike për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të vendit.

Kurse, vetëm pak ditë pas PDK-së, edhe LDK mbajti një tubim në kryeqytet, me të cilin hapi “zyrtarisht” parafushatën elektorale.

Në këtë tubim, përveç që mblodhi njerëz, LDK-ja u pa e përbashkuar, pasi shumica e figurave të rëndësishme të saj ishin pjesëmarrëse.

Po ashtu, në këtë tubim u prezantuan edhe kandidatët për deputetë nga Prishtina, ku të cilët u komentuan mjaft shumë.

Mirëpo, pavarësisht këtij fillimi të ‘vrullshëm’ parazgjedhor të PDK e LDK, sa kanë mundësi që këto parti të konkurrojnë seriozisht me LVV-në?

Preqi: Opozita nxiton vetëm për vendin e dytë dhe të fundit, sepse vendi i parë është kryer

Image

Dedë Preqi

E në lidhje me këto, konventa/tubime të LDK-së e PDK-së foli opinionisti Dedë Preqi.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se pavarësisht këtyre ‘mobilizimeve’ nuk pret që dy partitë më të mëdha opozitare, ta konkurrojnë seriozisht LVV-në, partinë në pushtet.

Po ashtu, potencoi se këto tubime ‘urgjente’ në prapaskenë mbërthejnë një lloj frike që kanë këto parti politike.

“Edhe pse është caktuar koha dhe data e zgjedhjeve të reja parlamentare në Republikën e Kosovës, me 9 shkurt 2025, partitë politike opozitare e kanë filluar iniciativën e tyre me tubime dhe slogane para kohe, duke u takuar me militantët e vet nëpër qytete dhe qendra të ndryshme të vendit dhe në diasporë.

Prandaj, po duket se nga opozita po bëhet një luftë e fushatave para kohës së fillimit të këtyre fushatave dhe në këtë aspekt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do ta përfundoj mandatin e vet në kohën rekord, dhe do të jetë kryeministri i parë në qeverinë e Kosovës, që do të përfundojë deri në fund mandatin e tij me kohë të rregullt.

Kjo formë e partive opozitare PDK, LDK dhe AAK, me tubimet e tyre të parakohshme dhe të nxituara para afatit kohor të mbajtjes së tubimeve para zgjedhore, duke shpalosur programet partiake dhe disa deputetë të tyre, sikur qëndron një shtysë urgjente që brenda kësaj mase ka një lloj frike, që nuk e lë të qetë dhe e ngacmon me gjitha shfaqjet e saj dhe format e tubimeve madhështore, sikur me ndjesinë e thellë të fuqisë së tyre, do të nxjerrin në dritë këtë popull dhe këtë shoqëri nga «mos-zhvillimi» ekonomik dhe politik, duke lënë anash të kaluarën e hidhur të pushteteve të tyre”.

Krahas kësaj, Preqi dha edhe disa komente për këtë ‘shpërthim’ të opozitës, ku e ndërlidhi me kritikat dhe akuzat që ia bënte në vazhdimësi qeverisë Kurti.

“Pikërisht në çastin e shpërthimit të kësaj opozite në këto forma, e cila që në fillim të mandatit të qeverisë Kurti, e ka marrë iniciativën për ta penguar dhe barrikaduar me kritika dhe sjellje të liga e arrogante rrugën e saj, dhe për ta rrëzuar një qeverisje të tillë para kohe, por nuk ia arriti, duke i shtyrë vet deri në fund të mandatit, dhe tani mund të ketë ende shpresë për t’u ringjallur edhe një herë dhe për ta marrë pushtetin në dorë.

Megjithatë, dyshimet dhe kritikat vijnë nga vetë suksesi i përgjithshëm i zhvillimit të këtij vendi, dhe nuk mund ta pranojmë atë, tek e cila nuk mund të kemi besim dhe nuk mund ta pranojmë atë, siç e ka projektuar shkatërrimtari dhe projektuesi kriminel dhe gjenocidial për këtë vend, që edhe kjo kohë e ndien edhe sot trazimin dhe rrezikun ndaj një projekti të tillë, siç është Asociacioni i komunave një etnike serbe në veri të Kosovës, dhe reagimet e kësaj opozite janë aq të pandërgjegjshme dhe të papërgjegjshme, sikur nuk i intereson se bëhet fjalë për çështje dhe probleme të tilla”, shpjegoi ai.

Në vazhdim, opinionisti foli edhe për gjuhën e urrejtjes që u shpërnda ndaj partitë në pushtet, si dhe refuzimet që opozita i bëri në lidhje me marrëveshjet ndërkombëtare.

“Një opozitë, që shpërndanë më shumë shpifje se fakte, duke përdorë gjuhën e urrejtjes dhe formave tjera, si brenda dhe jashtë shtetit të vet ndaj pushtetit të tanishëm dhe kryeministrit Albin Kurti, kinse nuk ka bërë asgjë pozitive dhe nuk i ka shërbyer këtij populli gjatë këtij mandati, me faktet e rrejshme se janë prishur marrëveshjet ndërkombëtare dhe ato me aleatët tanë, është një qëllim i organizuar nga kjo opozitë për ta njollosur dhe denigruar qeverisjen e saj, sepse sikur asgjë të mos kishte bërë qeveria Kurti, përveç të tjerave me një rëndësi të madhe, do të mjaftonte vetëm shtrierja e sovranitetit dhe integritetit në tërë territorin e vendit, që nuk e kishte ky vend kurrnjëherë tjetër, në veçanti në veriun e saj.

Në ecurinë e mëtejme të zhvillimit të proceseve dhe angazhimeve të këtij vendi, kjo opozitë do të quhej opozita më pasive dhe më pa produktive që ka ekzistuar deri më tani, sepse nuk ka qenë në gjendje dhe nuk ka pas vullnet të ngritet në asnjë kauzë të saj për të debatuar dhe trajtuar çështjet e rëndësishme të popullit dhe vendit, vetëm interesimi i saj ka qenë me tendenca, duke ngritë akuza të pa baza me qëllim të çakordimeve të projekteve të pozitës dhe kryeministrit Albin Kurti”.

Më tej, tha se opozita po ngre pretendime mbi fuqitë e saj, sikur populli nuk i njeh këto parti politike.

“Në fakt, ne nuk mund ta quajmë pushtetin e kryeministrit Albin Kurti, si një qeverisje e përkryer, e cila ia ka plotësuar të gjitha projektet, nevojat dhe dëshirat këtij populli, por duam, që të tregohemi të sinqertë dhe korrekt, të diskutojmë dhe të debatojmë, se deri ku dhe në cilën pikë mund të arrihet deri te një qëllim i tillë, që lidhet me njëra-tjetrën dhe në këtë rast të zgjedhjeve të reja fjalën kryesore e ka vet populli i Kosovës, që në mandatin e ardhshëm të zgjedh pushtetin dhe udhëheqësit e saj me vullnetin dhe votën e vet të lirë dhe demokratike.

Këto fizkultura që i prezanton opozita, PDK, LDK dhe AAK, janë lojëra të tyre, që ngrenë pretendimin e një zotërimi me fuqitë e tyre të zbehta dhe shumë të gjymta, të cilat me përvojat e tyre kanë lënë përvoja të hidhura nga e kaluara e të qenit të «zhveshur» dhe lakuriqësia e tyre për të cilën flitet tani më është krejt e ndryshme dhe fare nuk kanë turp të prezantojnë një paraqitje të tillë madhështore, duke u prezantuar se, sikur kanë zbritë nga qielli dhe janë të përkryer, sikur se nuk i njeh më mirë ky popull gjatë pushteteve të tyre të korruptuar dhe të inkriminuar”, theksoi Preqi.

Ndër të tjera, ai vlerëson se kjo opozitë duket qartë se nuk është gati që ta përmbysë rezultatin e LVV-së.

“Dhe një primitivizëm i tillë e ndjek këtë opozitë kur në të shumtën e rasteve abstenon, ose nuk i voton shumë ligje me rëndësi për shtetin dhe popullin e këtij vendi, që ka të bëjë me strukturën brenda së cilës ndodhet për të dhënë kontributin e vet si opozitë, dhe për të dhënë mundësi të reja dhe më të fuqishme për përparimin dhe zhvillimin e këtij shteti.

Kjo opozitë si duket, akoma nuk është e gatshme për të treguar se mundet dhe ka fuqi për ta përmbysur LVV, dhe qeverinë e kryeministrit Kurti, dhe paraqitja e tyre në këto forma të nxitimit dhe natyrave grabitqare, pikërisht këto veprime e rrezikojnë dhe shkaktojnë konfuzione dhe një lloj kulture të çoroditur, duke humbur kohë dhe duke i ngarkuar kësaj shoqërie një barrë të rëndë, që bëhet aq më e pakuptueshme për vëzhguesin dhe vrojtuesin tonë, që përpiqet të kuptojë me kujdes ecurinë e kësaj shoqërie demokratike”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Mehmeti: Nuk besoj që mund të ketë ndonjë befasi, Vetëvendosje do të jetë e para

Image

Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti tha se qëllimi kryesor i partive të mëdha opozitare është që LVV mos të marrë 51 për qind të votave.

Sipas tij, LDK e PDK po shfrytëzojnë gjithë mjetet në këtë drejtim.

Ai kritikoi këto parti, ku tha se nuk janë treguar shumë reflektuese brenda tyre, duke kandiduar me persona që në të kaluarën i kishin dëmtuar të dy partitë.

“LDK-ja dhe PDK-ja më shumë janë duke përdorur propagandë, sesa diçka konkrete kundër qeverisë. Qëllimi i tyre është që Vetëvendosja mos me i marrë 51 për qind, në mënyrë që pastaj partia e dytë prej tyre, cila do që të jetë, të mundohet me përsërit rastin me Qeverinë Hoti, që ishte pra rastin e njëjtë, po mundohet Më mirë. me përsërit prapë.

Prandaj, janë duke i shfrytëzua të gjitha burimet e veta për në këtë drejtim. Megjithatë, më duket se e kanë shumë të vështirë, kjo për shkak se nuk kanë bërë reforma të mjaftueshme që qytetarët me iu besua. Së pari, duhet të kishte një kërkim falje, pasi për shkak të gabimeve janë në opozitë. Nëse s'do kishin bërë gabime, sigurisht do ishin qeveri. Këta asnjëherë nuk është që kanë bërë një kërkim falje, përkundrazi, kanë vazhdua me njerëzit e njëjtë.

LDK-ja imagjino e ka rikthye ish-kryetarin e Prishtinës, pra Ismet Beqirin njeriun e klanit Isa, i cili është përgjegjës për degradimin e LDK-së. Pastaj, PDK-ja pritet ta kandidojë Adem Grabovcin me pak fjalë, nuk po shihet asgjë reflektuese në mënyrë që qytetarët me iu besu këtyre”.

Gjithashtu, ai tregoi edhe skenarët që mund të ndodhin në rast se LVV nuk merr shumicën e votave, derisa parashikoi edhe bllokadë për disa muaj.

“Për fund nuk besoj që mund të ketë ndonjë befasi, Vetëvendosje do të jetë e para. Mund të jetë diku 45 për qind, pastaj do të ishte edhe me diasporën plus, me votat e partive të vogla, që do të shpërndahen, ku Vetëvendosje si takojnë më shumë. Kështu që nuk besoj që do të ketë problem. Përndryshe, nëse Vetëvendosja nuk arrin me formu qeverinë, do tentohet që të krijohet Qeveria Hoti 2, mirëpo ende do të ketë fërkime të mëdha, se kush do ta marrë postin e kryeministrit, mes partive opozitare, kështu që do të krijohet një bllokadë po themi. Nëse Vetëvendosja, po them, nuk fiton 51 për qind vendi, do të ketë skenarë të ndryshme, të cilat mund ta mbajnë vendin peng për muajin të tërë”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Read Entire Article