Partia Progresiste Serbe e presidentit Aleksandër Vuçiç, ka fituar bindshëm zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Me pothuajse të gjitha votat të numëruara, SNS ka fituar rreth 47%, duke siguruar kështu të paktën 129 vende në parlamentin serb i cili ka 250 anëtarë në total.
Lexo edhe :
Related Posts
Që në hapje të kutive të para, presidenti serb Aleksandër Vuçiç shpalli fitoren dhe shpalosi planin deri në 2027 duke theksuar edhe qëndrimin e tij për veriun e Kosovës.
“Do të ketë një periudhë të vështirë përpara nesh dhe do të duhet të flasim dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë evropian. Edhe me Prishtinën do të ketë negociata të vështira dhe lëshime të vështira, por ne gjithmonë do ta mbrojmë Kosovën dhe Metohinë si pjesë e territorit të Serbisë”, tha Vuçiç.
Në vendin e dytë renditet koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” i cili ishte dhe konkurrenti më i fortë në garë përballë Vuçiç, me 23 për qind të votave, ose 63 vende në parlament.
Në vendin e tretë është Partia Socialiste Serbe, e ish-ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç, me 6.9 për qind të votave apo 19 vende. Daçiç ka shprehur gatishmëri që të bashkëpunojë me partinë e Vuçiçit. Pjesëmarrja në total në zgjedhjet parlamentare ishte 57.65 për qind.
Opozita e bashkuar ka pranuar rezultatin për zgjedhjet parlamentare, ndërsa ka kërkuar anulim dhe përsëritje të zgjedhjeve lokale për komunën e Beogradit, ku partia e Vuçiç ka marrë rreth 20 mijë vota më shumë.
Opozita akuzon partinë e Vuçiç se solli në Beograd rreth 40.000 persona në mënyrë të organizuar për të mbështetur listën e saj.
“Njerëzit që nuk jetojnë në Beograd u sollën me autobusë, furgona dhe makina për të votuar sikur të ishin qytetarë të Beogradit. Ne do të përdorim të gjitha mjetet e disponueshme demokratike kundër manipulimit të votave në Beograd dhe Serbi””, tha lideri i opozitës serbe, Miroslav Aleksiç.
Një rezultat ndryshe për kryeqytetin do të minonte pushtetin 11 vjeçar të Aleksandër Vuçiç.
Shumë parregullsi dhe shqetësime janë ngritur si për fushatën por edhe për procesin zgjedhor në Serbi nga vëzhguesit e zgjedhjeve dhe mediat e pavarura. /vizionplus.tv