Vuçiç shpall fitoren në zgjedhjet e përgjithshme, opozita kërkon anulimin

10 months ago 13

Partia Progresive Serbe, SNS e presidentit Aleksandër Vuçiç, pretendon fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Vuçiç u shpreh se forca e tij politike po shkon drejt mazhorancës absolute, çka çimenton ndjeshëm pushtetin. Pas numërimit të më shumë se 90% të votave, Instituti i Beogradti Cesid dhe Ipsos thanë se SNS-së mund të marrë 47% të votave apo 128 nga 250 vende në parlament. Rezultati i zgjedhjeve të së dielës duhet të krijojë lehtësi për presidentin serb, partia e të cilit shtoi me 2 pikë rezultatin. Vetë Vuçiçi foli përpara përkrahësve të tij për “fitore të qartë, të padiskutueshme dhe bindëse”.

“Ne i premtuam njerëzve se Serbia do të ishte një vend ndryshe, se brenda tre vitesh nuk do të ishin në gjendje ta njihnin më. Kemi ende shumë gjëra për të bërë, gjëra të rëndësishme. Dhe fakti që morëm kaq shumë vota, që arritëm rezultatin e dytë më të mirë në historinë e Serbisë demokratike pas 11 vitesh në pushtet, më bën tej mase të lumtur”, tha Vuçiç.

Zgjedhjet u errësuan megjithatë nga akuzat e opozitës për manipulime, sipas agjencisë gjermane të lajmeve, dpa. Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” pretendon se SNS ka marrë 21.000 vota më shumë se lista e tyre në zgjedhjet në Beograd. “Më shumë se 40.000 persona pa vendbanim të ligjshëm u sollën në Beograd në mënyrë të organizuar për të mbështetur listën e SNS-së, e cila ndryshoi në mënyrë drastike vullnetin elektoral të qytetarëve të kryeqytetit, ne kërkojmë anulimin e zgjedhjeve në Beograd dhe përsëritjen e votimit për Kuvendin Komunal”, thuhet në deklaratën e lëshuar prej tij.

Koalicioni në fjalë insistoi po ashtu edhe për “pastrimin e listës zgjedhore”. Ndërkaq, Qendra e pavarur për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie, CRTA, njoftoi nga ana tjetër se kanë parë të dhëna që tregojnë se votuesit janë sjellë nga Bosnje e Hercegovina dhe ish-republika të tjera jugosllave për të votuar në zgjedhjet në Serbi.

Vuçiç vendosi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare 17 muaj pas zgjedhjeve të fundit. Megjithëse presidenti serb përcakton gati çdo gjë në politikën e vendit, sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa ai duket u frikësua e para pas sulmeve masive të majit me 18 të vdekur dhe një lëvizjeje spontane proteste, që kërkonte fundin e regjimit të tij.

Top Channel

Read Entire Article