Zbardhet fatura e kripur, ja sa kushtojnë karriget e djegura! Paratë do mbahen nga rrogat e deputetëve

1 month ago 27

10 milionë e 500 mijë lekë të vjetra është dëmi total i përllogaritur nga institucionet e Kuvendit të Shqipërisë, për shkak të kaosit të shkaktuar dje nga deputetët e opozitës. Fatura e kripur financiare i referohet 30 karrigeve që deputetët nxorën nga salla e seancave plenare dhe i dogjën me benzinë.

Për shkak të tensioneve në sallë dhe vendimit të kryeparlamentares Elisa Spiropali për ndërprerjen e mandatit të kolegut Ervin Salianji, sepse u dënua me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit, deputetët demokratë morën karriget e tyre dhe i dogjën.

Mirëpo, nga një përllogaritje zyrtare, ka dalë se vlera për copë e karrigeve ka qenë 350 mijë lekë të vjetra.

Rinovimi i fundit i ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë është kryer në vitin 2010 dhe çdo gjë e financuar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Siç është njoftuar zyrtarisht, nga shërbimet e Kuvendit është ngritur një grup i cili do të vlerësojë të gjitha dëmet materiale dhe kostot do të mbahen nga rroga e deputetëve “problematikë”.

“Në përfundim të këtij vlerësimi, deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar. Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve.

Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Kujtojmë se, opozita ka paralajmëruar mosbindje civile pas atij që ajo e quan “burg politik” kundër tashmë ish-deputetit Ervin Salianji. Protesta e parë kombëtare është njoftuar më datë 7 tetor në Tiranë, ku pritet të ketë radikalizim të aksionit opozitar, deri në bllokime rrugësh.

Read Entire Article