Zelensky: Vendi u godit me mbi 900 bomba brenda një jave

1 week ago 24

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje aleatëve të huaj për më shumë ndihmë për të forcuar mbrojtjen ajrore, pas një jave që, sipas tij, shteti është përballur me mbi 900 bombardime.

“Mbrëmë, Rusia e ka terrorizuar Ukrainën me mbi 50 sulme me dronë, dhe përgjatë javës ka nisur më shumë se 900 bomba, rreth 30 raketa dhe dronë kamikazë nëpër rajone të ndryshme të Ukrainës”, ka thënë ai.

Sipas Zelenskyt, “infrastruktura civile dhe kritike” është shënjestruar më së shumti.

“Të gjitha këto sulme do të ishin të pamundshme nëse do të kishim mbështetje të mjaftueshme nga bota në disa aspekte: kapacitete me rreze të gjata për sigurinë tonë, sanksione realisht efektive për t’i pamundësuar Rusisë importin e materialeve kyçe për dronë dhe prodhim raketash, dhe vendime politike që mund të dëmtojnë vullnetin e Rusisë për të vazhduar këtë luftë”, ka thënë Zelensky.

Ai ka thënë se “Ukraina meriton sigurinë e njëjtë me atë të partnerëve tanë në botën e lirë”, dhe ka publikuar në platformën X – të njohur më parë si Twitter – disa pamje të shkatërrimit në pjesë të ndryshme të Ukrainës.

Ukraina ka kohë që kërkon nga Perëndimi dritën e gjelbër për të përdorur armët që ia dërgon për të sulmuar më thellë në Rusi, por diçka e tillë nuk i është lejuar. Rusia ka kërcënuar disa herë që nëse Perëndimi ia mundëson Ukrainës përdorimin e armëve me rreze të gjatë për të sulmuar, atëherë nuk e përjashton mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore.

Një ditë më parë, Pentagoni ka bërë të ditur ndihmë të re ushtarake për Ukrainën në vlerë të 425 milionë dollarëve. Ky njoftim është bërë vetëm disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë rëndësi të madhe për vazhdimësinë e ndihmës amerikane për Ukrainën. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./Rel/

Read Entire Article