“Zgjedhorja”, Celibashi: Adresoni vendimet e Kushtetueses

7 months ago 11
15:32 27/02/2024

Kryekomisioneri: Emigrantët duhet të votojnë, mënyra më e mirë me postë

Shfuqizimi i herësit dhe vota e emigrantëve janë dy prej çështjeve më urgjente që duhen adresuar në kodin zgjedhor, sipas kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, i cili zhvilloi seancë dëgjimore në mbledhjen online të Komisionit të Reformës.

“Kam sjellë në vëmendjen tuaj nevojën për të diskutuar minimalisht dy vendime të Gjykatës Kushtetuese që kanë të bëjnë i pari me votimet nga jashtë dhe i dyti me shfuqizimin e dispozitës së Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me herësin.”

Sa i përket mënyrës se si mund të votojnë emigrantët, për Celibashin mënyra më e duhur mund të jetë me postë.

“Në vetvete votimi me postë plotëson të gjitha standartet që lidhen me integritetin e votës së atij votuesi që i është thënë ta aplikojë votimin në këtë mënyrë.”

Sipas drejtuesit të Gjendjes Civile, Vangjush Stavro ka 14 mijë deklarime adresash jashtë vendit.

“Deri tani kemi 14,127 deklarime adresash. Kemi prej dhjetorit të 2020 që shërbimi është online dhe punon.”

Krykomisioneri kërkoi nga partitë politike të ketë një përcaktim të qartë ligjor për veprimtaritë e lejuara ose jo, të politikanëve dhe zyrtarëve gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, ku shpeshherë kanë qenë abuzive.

“Ka nevojë që nëpërmjet ndryshimeve të Kodit Zgjedhor të ketë përcaktime më të mira më të qarta në lidhje me kategoritë apo edhe aktet të cilat për një periudhë të caktuar ndalohet t’i kryejnë funksionarë publikë duke filluar nga kryeministri, anëtarët e qeverisë.”

Mbledhja online zgjati më shumë se 4 orë, ku përveç seancës pyetje përgjigje me krerët e insitucioneve, nuk munguan debatet mes dy bashkëkryetarëve Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article