Në Afganistan është mbajtur një ceremoni martesore masive me 50 çifte.
Ceremoni të tilla janë përhapur pasi çiftet pa mundësi financiare po kërkojnë mënyra për të shmangur kostot e një dasme tradicionale.
Nuset qëndronin në një pjesë të veçuar dhe u shfaqën pas drekës. Ngjarja u organizua në Kabul nga një shoqatë bamirësie që u siguroi çifteve të reja sende të nevojshme si elektroshtëpiake dhe tapete për t’i ndihmuar në rrugëtimin e tyre të ri.
Një zyrtar i ministrisë për promovimin e virtytit dhe ndalimin e vesit mbajti një fjalim. Përveç leximit të pjesëve nga Kurani, nuk pati muzikë dhe kërcim për shkak të ndalimit të tyre nga drejtuesit talebanë që u rikthyen në pushtet në gusht 2021.
Të sapomartuarit u shoqëruan me makina të zbukuruara me fjongo të gjelbra dhe trëndafilë artificialë të kuq në trajtë zemrash.
Roohullah Rezayi, 18 vjeç tha për AFP se nuk mund ta përballonte një dasmë. “Një dasmë tradicionale do kishte kushtuar 200-250 mijë afganë (2800-3600 dollarë), por këtë herë do të kushtojë 10-15 mijë afganë”.
I riu fiton rreth 350 afganë në ditë duke bërë punë të rëndomta. “Ne ftuam 35 persona gjithsej, ndryshe do ishin 300-400”.
Disa prej të rinjve kanë vite që e presin këtë moment. Një fermer 23-vjeçar nga Kabuli i ka thënë agjencisë se “ka 3 vite që e pret këtë ditë”./tvklan.al
Të ngjashme