Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin e ndryshuar për Komisionet Hetimore Parlamentare, duke refuzuar thirrjen e opozitës për të mos e firmosur por ta kthente mbrapsht në Parlament.
Në argumentet e dhëna për firmosjen e dekretit, Begaj thotë prerë se opozita nuk ofroi asnjë zgjidhje pavarësisht apelit të tij kompromis.
“Është pretenduar se miratimi i projektligjit është shoqëruar me parregullsi procedurale. Ky pretendim nuk i qëndron kontrollit kushtetues. Shkeljet procedurale nuk përbëjnë shkak të vetëmjaftueshëm për kthimin e ligjit për shqyrtim. Procedura e shqyrtimit dhe e miratimit të projektligjeve është çështje e Rregullores së brendshme të Kuvendit, kontrolli i zbatimit të së cilës kryhet nga organet e brendshme të Kuvendit, të ngarkuara nga vetë Rregullorja për këtë qëllim. Është fakt publik se në instancat e brendshme të Kuvendit nuk është depozituar asnjë kërkesë me pretendime për shkelje procedurale të lidhura me këtë ligj. Shkeljet procedurale mund të formojnë lëndë për kontrollin kushtetues vetëm nëse shkeljet procedurale ngrihen në nivelin e shkeljeve kushtetuese. I tillë është, për shembull, rasti kur një ligj, për të cilin Kushtetuta kërkon miratimin me shumicë të cilësuar, miratohet me një numër më të vogël votash. Asnjëra nga shkeljet procedurale të pretenduara nuk ngrihet në nivelin e një shkeljeje procedurale kushtetuese. Për pasojë, nuk e bën këtë ligj antikushtetues. Po kështu, pretendimi se ky ligj duhet të ishte miratuar me konsensus nuk ka lidhje me ndonjë kërkesë të Kushtetutës, ndaj Presidenti i Republikës nuk mund ta kthejë atë për shqyrtim me shkakun se i mungon konsensusi”- argumenton Begaj, duke vënë në dukje se qëllimi i opozitës ka qenë bllokimi, jo kompromisi.
Presidenti bën thirrje për dialog konstruktiv dhe bashkëpunim vullnetmirë midis forcave politike, si rruga e vetme që i shërben të mirës së përbashkët, interesit kombëtar dhe konsolidimit të pozitave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare; apel ky i vlefshëm sidomos në lëmin e ngritjes dhe funksionimit me sukses të komisioneve hetimore parlamentare.
Ligji për komisionet hetimore u miratua me 75 vota në seancën e fundit parlamentare të dhjetorit. Ai erdhi në Kuvend me propozim të PS në kohën kur pikërisht refuzimi i komisioneve hetimore u kthye në mollë sherri mes opozitës dhe maxhorancës në Parlament.
Top Channel