Partia Demokratike ka denoncuar sot publikisht abuzimin me tenderat në QSUT. Në një dalje për mediat, zëdhënësja për antinkorrupsion në Tiranë, Genta Vangjeli në një dalje për mediat nga selia blu, theksoi se Arbër Teqja, djali i nëndrejtoreshës së QSUT-së ka fituar 550 mijë euro për 5 tendera.
PD thekson më tej se; “Djali i tezes së Amant Josifit, Arbër Teqja pronar në kompaninë Eco Riciklim shpk dhe MSE shpk deri 31 maj 2023, rezultoi se përfitoi 6.8 milion euro para publike.”.
Deklarata e zëdhënëses për antinkorrupsion në Tiranë, Genta Vangjeli
Sikurse kemi denoncuar më herët, më 3 Prill 2020, Edi Rama nënshkroi VKM nr.273 për Miratimin e kontratës për lotin 2 me objekt “Trajtim dhe asgjësim të mbetjeve që dalin nga shërbimet ku marrin trajtim pacientët me COVID-19 për QSUT”. Palë ishin Ministria e Shëndetësisë dhe operatori ekonomik “ECO RICIKLIM”, sh.p.k me pronar të 70% të aksioneve Arbër Teqjan, i biri i nëndrejtoreshës së QSUT Arjana Strakosha dhe djali i tezes së Amant Josifit.
Djali i tezes së Amant Josifit, Arbër Teqja pronar në kompaninë Eco Riciklim shpk dhe MSE shpk deri 31 Maj 2023, rezultoi se përfitoi 6.8 milion euro para publike.
Pas denoncimit tonë në 13 Prill 2024 dhe dorëzimit në SPAK të kallzimit penal respektiv, Arbër Teqja vazhdon i pashqetësuar të fitojë tendera publikë.
Kështu pas kësaj date ai ka fituar edhe 550 mijë euro të tjera për 5 tendera të tjerë përfshirë edhe QSUT ku ka nënën nëndrejtoreshë, tek të gjitha procedurat është ofertuesi me ofertë më të lartë ku janë skualifikuar ofertat më të ulëta për të shpallur këtë fitues , dhe në 1 rast është ofertues i vetëm, ofertat me pak diferencë nga fondi limit, konkretisht:
1. Spitali Rajonal Elbasan objekti: “Grumbullim, trajtim, asgjesim i mbetjeve spitalore” , vlera 352 mijë euro, diferenca me ofertën më të ulët 85 mijë euro;
2. Spitali Obsetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, objekti: “Evadim, trajtim dhe asgjesim i mbetjeve të rrezikshme spitalore”, vlera 79 mijë euro ose 96% e fondit limit, diferenca me ofertën më të ulët 14 mijë euro;
3. Spitali Obsetrik Gjinekologjik “Koço Glozheni”, objekti: “Eleminim i mbetjeve të rrezikshme spitalore”, vlera 93 mijë euro;
4. Instituti i mjekësisë ligjore, objekti: “Mbledhja, transporti, dhe asgjesimi i mbetjeve spitalore”, vlera e ofertës së vetme të paraqitur dhe shpallur fituese 15 mijë euro;
5. QSUT objekti: “Asgjesim i mbetjeve citostatike dhe citotoksike në QSUT, vlera 11.6 mijë euro.
Këto janë fakte kokëforta, por jo për SPAK-un. Ai është preferencial në hetime dhe arsyet tashmë i dimë.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb