Gjatë Ministerialit të Europës Qendrore dhe Jugore për intekonektivitetin energjetik të zhvilluar në Athinë u diskutuan dy nga çështjet primare që sektori i energjisë europiane ka. Dekarbonizimin dhe sigurinë energjetike. Sigurisht në çështjen e dekarbonizimit Shqipëria nuk ka asnjë shqetësim, për më tepër nga të dhënat e Eurostat javën e fundit Shqipëria rankohet e treta, mbas Suedisë dhe Finlandës përsa i përket përdorimit të energjisë së rinovueshme, duke e bërë kështu një tjetër kampione në fushën e përdorimit të energjisë së rinovueshme.
Nga ana tjetër, duhet thënë se gjatë këtij Ministeriali u diskutuan të gjitha masat rregullatore që duhen ndërmarrë edhe me mbështetjen e Sekretariatit të Energjisë të vendosur në Vjenë, por mbi të gjitha Komisionerja Simpson ka diskutuar edhe mënyrat sesi Bashkimi Europian do të mundohet të incentivojë të gjitha këto nisma duke nisur nga energjia e rinovueshme, tek energjia nukleare dhe tek gazi, padyshim një sektor shumë i rëndësishëm energjetik ky që ka të bëjë me sigurinë energjetike, sidomos pas të gjitha ngjarjeve të agresionit rus në Ukrainë.
Katherine Simpson ka thënë se duhet të vazhdojë puna e mirë që po bëhet nga shtetet e zonës së Juglindjes së Europës përsa i përket të gjithë kuadrit rregullator, përsa i përket iniciativave të reja. Dhe nga ana tjetër, Bashkimi Europian do të jetë aty për ti mbështetur përmes instrumenteve financiarë të gjitha vendet.
Kam prezantuar, ashtu siç bëjmë çdo herë, të gjitha arritjet e Republikës së Shqipërisë në fushën energjetike, sidomos në vitin 2023, kemi pasur një sërë prej tyre. Vetëm një javë më parë edhe viti 2024 ka nisur me një hap të rëndësishëm përsa i përket diversifikimit të burimeve dhe kam ndarë me të gjithë kolegët e mi sesi Shqipëria tashmë ka të angazhuar 1 gigavat në energji të rinovueshme përmes ankandeve transparente që ne jemi duke implementuar në vendin tonë, sigurisht me mbështetjen e partnerëve tanë të Bashkimit Europian apo edhe të bankave europiane.
Gjithashtu kemi diskutuar përsa i përket asaj që është shumë e rëndësishme, këto kapacitete të cilat ngrihen dita ditës kanë nevojë për interkonjeksion. Një interkonjeksion që tashmë po shkon në një nivel tjetër. Shqipëria ka nisur punën për projektin e ndërlidhjes energjetike me Maqedoninë e Veriut. Nga ana tjetër, Shqipëria është duke punuar ngushtësisht për të nisur projektin me Greqinë për të dyfishuar linjën e transmetimit dhe në ndërkohë, kam ndarë gjithashtu me kolegët e mi, dhe lajmin e mirë që së bashku me Operatorin e Transmetimit Italian, Operatori i Transmetimit Shqiptar është duke nisur një studim fizibiliteti përsa i përket linjës nënujore që do të lidhë Shqipërinë dhe Italinë.
Duke dëgjuar të gjitha planet e së ardhmes, duke dëgjuar të gjithë angazhimin e palës greke në këtë rast përsa i përket linjave të interkonjeksionit për të lidhur kështu Greqinë me Qipron dhe më pas me Izraelin, Greqinë me Arabinë Saudite apo Greqinë më vende të tjera na bën besimplotë se përmes këtij bashkëpunimi rajonal ne do të përfitojmë edhe nga projektet të cilat po zhvillohen në vendet fqinje.
Janë diskutuar edhe iniciativa të tjera që do të ndërmerren gjatë vitit 2024, por sigurisht prioritetet mbeten, përafrimet ligjore që të gjitha shtetet të cilat aspirojnë të jenë anëtare të Bashkimit Europian duhet të përmbushin në muajt në vazhdim. Sigurisht Shqipëria në fushën energjetike është gjithmonë një shembull për tu marrë dhe kështu ka ndodhur edhe në këtë Ministerial.
Top Channel