Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit 2024 – 2026. Sipas njoftimit zyrtar të bankës qendrore, ky dokument është një përditësim i strategjisë ekzistuese (2023-2025), përmes së cilit zgjatet afati i zbatimit të këtij dokumenti, përtej vitit 2025 dhe përcaktohen objektivat për periudhën afatmesme në vijim.
Strategjia synon t’u japë një përgjigje proaktive sfidave të mjedisit ku operon Banka e Shqipërisë; të rrisë bashkëpunimin brenda institucionit; të nxisë përdorimin efektiv dhe eficient të burimeve; si dhe të promovojë transparencën dhe llogaridhënien publike.
Ajo përfshin funksionet kryesore të BSH-së: politikat (politika monetare, rezerva valutore, mbikëqyrja bankare, politika makroprudenciale), infrastrukturën financiare (emisioni i parasë, sistemet e pagesave); funksionet horizontale (kërkimet, statistikat); dhe shërbimet mbështetëse (burimet njerëzore, kontrolli i brendshëm, kontabiliteti dhe IT).
Këshilli Mbikëqyrës miratoi gjithashtu buxhetin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2024 dhe buxhetin orientues afatmesëm për vitet 2025 – 2026.
Sipas njoftimit, buxheti i miratuar për vitin 2024 dhe ai orientues afatmesëm për vitet 2025-2026 garanton përmbushjen e objektivave strategjike të Bankës së Shqipërisë të parashikuara në Strategjinë e saj Afatmesme të Zhvillimit.
Në hartimin e tij janë mbajtur parasysh situata aktuale në tregjet ndërkombëtare financiare, zhvillimet ekonomike dhe financiare brenda vendit, shpenzimet korrente dhe ato kapitale të domosdoshme për miradministrimin e aktiveve dhe burimeve njerëzore.
Buxheti i Bankës së Shqipërisë për vitet 2024 – 2026, ndër të tjera, synon përsosjen e mëtejshme të kuadrit të politikës dhe të operacioneve monetare, zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale të Bankës së Shqipërisë, furnizimin e ekonomisë me kartëmonedhë cilësore, përpunimin me kujdes të saj, si dhe përsosjen e komunikimit dhe transparencës me publikun.
Njëkohësisht, buxheti mbështet kryerjen e investimeve të nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës teknologjike, asaj të sigurisë dhe të ambienteve ku ushtrohet aktiviteti i Bankës së Shqipërisë./monitor
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb