Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso përmes një deklarate ka reaguar lidhur me heqjen e mandatit të Fredi Belerit si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarë.
Kaso në deklaratën e tij shprehet se Beleri u ‘ekzekutua’ edhe politikisht pas është mbajtur peng për 14 muaj, më tej Kaso shprehet se Belerit nuk iu dha lejë të betohej si kryetar Bashkie, por dje për tja hequr mandatin ja dhanë, kjo është banaliteti i Ramës, thotë Kaso.
Postimi i plotë:
Në tri orë të zeza për demokracinë, shtetin ligjor, të drejtat individuale dhe politike në Shqipëri, u shpalos i gjithë banaliteti i regjimit të Edi Ramës dhe patericave të tij.
Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri u “ekzektua” dje edhe politikisht, pasi u mor peng juridikisht para 14 muajsh.
Në një seancë urgjente Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi shkarkimin e Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës.
Sapo KQZ mori vendimin e shkarkimit, Edi Rama i dërgoi Presidentit kërkesën e parapërgatitur dhe e urdhëroi të shpallte datën e zgjedhjve për bashkinë Himarë.
Institucionet e pushtetit nuk reagojnë me kaq shpejtësi as në raste emergjencash kombëtare, siç e ka dëshmuar tërmeti apo Covid19.
Kjo urgjencë dëshmon edhe njeherë se Fredi Beleri nuk është një i dënuar i shtetit shqiptar, por një i marrë peng, një i burgosur politik i pushtetit të Edi Ramës.
Për 14 muaj Edi Rama e mbajti në burg Fredi Belerin dhe nuk e lejoi të betohej dhe të merrte mandatin. Kur Beleri kërkonte leje që të betohej dhe të merrte mandatin, nuk u lejua sepse, sipas marionetave të Ramës, nuk e lejonte ligji.
Dje që iu desh Edi Ramës për tja hequr mandatin ia dha lejen me pash.
Turp e faqja e zezë!
Komisioneri i Zgjedhjeve është në shkelje flagrante të ligjit nr. 138/2015 dhe Vendimit të Kuvendit nr. 17/2016 ku përcaktohet se: verifikimi i kushteve të zgjedhshmërisë nga KQZ bëhet vetëm mbi bazën e të dhënave të vetdeklarimit të kandidatit në momentin e paraqitjes së kandidaturës.
Komisioneri i ka verifikuar të dhënat e formularit të dekriminalizimit të Fredi Belerit dhe ka marrë vendimin nr. 611 datë 25.05.2023 për vlefshmërinë e mandatit të fituar në zgjedhjet e 14 majit. Rrethana dhe fakte të ndodhura pas plotësimit të formularit të vetëdeklarimit nuk janë kompetencë e KQZ, por e organeve të tjera kushtetuese.
Fredi Beleri duhej të betohej dhe të merrte mandatin, dhe më pas mund të shkarkohej nga Edi Rama, siç parashikon edhe Kushtetuta, neni 115 i saj, apo neni 62 i ligjit nr. 139/2015.
Vendimi i Komisionerit, përveçse i paprecedent dhe pa asnjë bazë ligjore, nuk është i ekzekutueshëm. Neni 133 i ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative” parashikon që efektet e aktit administrativ pezullohen deri në shqyrtimin e ankimit. Komisioneri nuk referon në asnjë ligj i cili e bën të ekzekutueshëm menjëherë vendimin e tij administrativ.
Thënë shkurt, kryetarit të zgjedhur të Himarës nuk i është dhënë as e drejta e apelimit të vendimit.
Antikushtetues është edhe Dekreti i Presidentit. Sipas nenit 10/3 të Kodit Zgjedhor Presidenti shpall zgjedhjet e parakohshme pasi ka kaluar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar. Presidenti ka zbatuar një akt administrativ që nuk ka filluar efektet pasi nuk ka mbaruar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar, madje pa filluar ende afati i ankimi.
Ky rast bën edhe autopsinë e kufomës së Republikës, duke filluar nga SPAK, gjykatat, KQZ, qeveria dhe Presidenti. Mund ta balsamosin sa të duan me propaganda, me koncerte vere dhe me turizëm orbital, por kufoma qelbet.
Partia Demokratike e dënon ashpër vendimin e KQZ dhe dekretin e Presidentit, të dy në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit. Ligji nuk është opsional dhe kësisoj të gjithë ata që e trajtojnë si të tillë do të përgjigjen para vetë ligjit.
Kush e sheh këtë rast si nëpërkëmbje të Fredi Belerit apo të opozitës, e ka gabim. Kur të gjithë heshtim për padrejtësitë ndaj dikujt, në një shtet si të Edi Ramës, i vjen radha gjithkujt.
Prandaj ju bëjmë thirrje të bashkohemi në protestë të enjten më 11 korrik ora 20.00
Ta shpëtojmë Shqipërinë nga ata që mendojnë se Shqipëria i përket vetëm Edi Ramës.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb