Analisti Fatos Lubonja, në një lidhje live me Skype në rubrikën Opinion në News 24 ka komentuar bisedën telefonike të zhvilluar ndërmjet kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan.
Lubonja tha se Rama e do mbështetjen e Erdoganit, me qëllim që të ndihet një “pasha” në Shqipëri. Sipas Lubonjës, kërkesat e Erdoganit për ata që njihen si “gylenistë” janë absurde.
“Raporti i Ramës me Erdoganin prej kohësh është problematik. Kjo pasi Rama thotë se unë jam kampion i pro-perëndimit të Shqipërisë dhe është kontradiktore që mban raporte me presidentin turk, sepse Erdogan është akuzuar si lider autoritar nga Perëndimi. Gjithsesi, Turqia është një fuqi e madhe, e rëndësishme. Mjaft të kuptojmë qëndrimet që mban ndaj Izraelit. I është bashkuar akuzës për gjenocid ndaj Izraelit. Rama është lojtar i vogël, që shfrytëzon peshën e lehtë që ka Shqipëria dhe luan me të dyja palët.
Mbështetja e Erdogan i është dashur Ramës për t’u ndjerë një “pasha”. Në sytë e Erdoganit, Shqipëria është një vend me myslimanë, që e konsideron si dikur vend të Perandorisë Osmane. Kërkesat e Erdogan janë absurde, sepse ne nuk kemi pse të futemi në luftën e brendshme politike brenda turqve. Thellë-thellë kryeministrit tonë i pëlqen modeli i Erdoganit, ka marrëdhënie personale me të. Rama kërkon t’ju bëjë qejfin të gjithëve, përveç shqiptarëve”, deklaroi Lubonja.
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb