Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ka bërë një ndalesë në Piramidën e Tiranës, gjatë vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar ditën e sotme.
Gjatë fjalës së tij para të rinjve, ku takoi kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, Blinken u shpreh se ka ndjerë ngrohtësi në çdo vend ku ka shkelur në Tiranë. Duke u ndalur te rindërtimi i Piramidës së Tiranës, Blinken theksoi se sot ky vend është kthyer në një simbol të të ardhmes, ndërsa nënvizoi se në rrugët e kryeqytetit sot ka parë optimizëm për të ardhmen.
“Ju falënderoj për një mikpritje të mrekullueshme në vendin e shqiponjave, e ndjej ambientin e ngrohtë jashtë dhe ngrohtësinë në këtë vend dhe çdo vend tjetër që kam qenë në Tiranë. Nuk mund t’ju shpjegoj se sa mirënjohës jam.
Sot ky vend është mbushur me dritë. Është një simbol i gjallë të ardhmes dhe të tashmes, të marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë. Kjo ndërtesë u rindërtua me investimin e fondit shqiptaro-amerikan. Sot në rrugët e Tiranës pashë optimizmin për të ardhmen”, tha Blinken.
Top Channel