Bruno Fernandes i përgjigjet lajmeve që e lidhnin me një kalim në Arabinë Saudite

11 months ago 50

Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, ka insistuar se ai është i lumtur në klub përkundër raportimeve që e lidhnin atë me një kalim në Arabinë Saudite.

Fernandes kishte tërhequr interesim nga Fondi i Investimeve Publike (PIF), pronarët e klubeve saudite. Ani pse ai është kapiten i klubit, paraqitjet dhe karakteri i mesfushorit është kritikuar shpeshherë gjatë vitit të kaluar.

Sidoqoftë, 29-vjeçari i ka ‘hedhur në ujë’ të gjitha raportimet se ai do të largohet nga “Old Trafford”.

Që kur Cristiano Ronaldo iu bashkua Al-Nassr në janar, shumë emra të mëdhenj i janë bashkuar projektit të Arabisë Saudite. Benzema, Mane, Mahrez dhe Neymar që të gjithë u larguan nga klube të mëdha në Evropë, ndërsa lojtar të rinj si Neves dhe Gabri Veiga morën këtë rrugë gjithashtu.

Fernandes nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë sezon, por për momentin ai mbetet i përkushtuar në projektin e Ten Hag.

“Unë jam i fokusuar tek kombëtarja dhe United. Unë jam i lumtur këtu ku jam. Tek kombëtarja, ne kaluam kohë të mirë, tek Manchester United nuk e kishim fillimin që deshëm. Unë nuk i shikoj thashethemet. Nuk iu kushtoj rëndësi atyre. Sot, është shumë e lehtë të përhapësh thashetheme në media. Unë preferoj të koncentrohem në qëllimet e mia”, ka thënë Fernandes në një intervistë për Sport TV.

Kontrata e Fernandes me Man United skadon në vitin 2026, atëherë kur ai do të jetë 31 vjeçar. Nëse United do të vazhdojë të ketë vështirësi për të mbajtur ritmin me ekipet e mëdha në Evropë, atëherë portugezi mund të vendosë të transferohet në Lindjen e Mesme./Telegrafi/

Read Entire Article