Në një intervistë në studion e News24, mjekja pediatre Adriana Ilias ka diskutuar mbi rritjen e rasteve të disa sëmundjeve infektive dhe virozave gjatë periudhës aktuale, duke ofruar këshilla të vlefshme për të mbrojtur shëndetin
Ajo theksoi se ndryshimet klimatike, por edhe lëvizja e turistëve kanë kontribuar në shpërndarjen e disa sëmundjeve që për ndonjëherë ishin më të zakonshme në periudha të caktuara të vitit.
Mjekja u shpreh se COVID-19 vazhdon të jetë një shqetësim në disa zona, veçanërisht në jug të Shqipërisë ku ka një fluks të lartë turistik. Simptomat e COVID-19 përfshijnë të vjella, diarrea dhe temperaturë të lartë që zgjat më shumë se virozat e zakonshme. Megjithatë, COVID-19 nuk është më aq i rrezikshëm sa në fillim të pandemisë.
Nëse fëmijët kanë simptoma të zgjatura ose temperaturë që nuk ulet për më shumë se pesë ditë, prindërit këshillohen të bëjnë testin tampon dhe PCR për COVID-19. Probiotikët janë të këshillueshëm për të ndihmuar në rikuperimin e sistemit të tretjes.
Sa u përket Etheve të Nilit, Ilias tha se është një virozë që përhapet nga mushkonjat dhe shenjat klinike përfshijnë temperaturë, lodhje dhe simptoma të ngjashme me virozat e zakonshme. Në përgjithësi, 80% e rasteve kalojnë lehtë, ndërsa 20% mund të kenë simptoma më të rënda, sidomos për fëmijët e vegjël ose individët me imunitet të dobët.
Për të shmangur kontaktin me mushkonjat, ajo u shpreh se prindërit duhet të sigurohen që fëmijët të veshin rroba pambuku me mëngë të gjata dhe të qëndrojnë në hapësira të mbrojtura nga mushkonjat, si edhe të shmangin qëndrimin në diell nga ora 10:00 deri në 18:00.
Lija e majmunit është një tjetër sëmundje virale, e cila sipas shpjegimit të mjekes shkaktohet nga një virus dhe ka një periudhë inkubacioni që varion nga 5 deri në 21 ditë. Kjo sëmundje përhapet nga njeriu në njeri përmes kontaktit të ngushtë dhe shkakton puçra në trup.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb