Seanca e Kuvendit të Kosovës këtë të hënë ka nisur me një minutë heshtje në nderim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
Deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak në Kosovë, Duda Balje, foli mbi krimin makabër të kryer nga forcat serbe para 28 viteve.
Në hyrje të Kuvendit të Kosovës bashkë me pjesëtarë të komunitetit të saj, kanë shpërndarë shalle me simbolin e masakrës së Srebrenicës në hyrje të kuvendit.
“Përkujtimi i 28 vjetorit të gjenocidit në Sreberenicë, Kuvendi i Kosovës dhe shalli ynë i gjelbër me lulen e Srebrenicës. Dhimbja nuk ndalet, kujtesa nuk zhduket”, shkruan ajo në rrjete sociale.
Veç shallit, ajo kishte veshur edhe fustanin e saj me simbolin e masakrës.
Gjenocidi i Srebrenicës ndodhi në korrik të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u vranë më shumë se 8,000 boshnjakë myslimanë, kryesisht burra dhe djem të moshës 12 deri 77 vjeç. Ajo njihet si masakra më e madhe e kryer pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Top Channel