Disa arsye të rëndësishme: Ja pse ideja për 'shkëmbimin e territoreve' është barazi me zero

1 day ago 23

Me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, ideja për “shkëmbimin e territoreve” nuk u diskutua. Madje deri në zgjedhjen e Donald Trump si president i SHBA-së, ajo mbeti jashtë tryezave të diskutimit.

Megjithatë, tani kjo ide është rikthyer nga 'frika’ se mund të realizohet pas ndërrimit të pushtetit në SHBA, edhe pse nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.

Nga ana tjetër, komisionerja e re për zgjerimin e BE-së, Marta Kos, ka shprehur kundërshtimin e saj të fortë ndaj kësaj ideje.

Ajo e hodhi poshtë propozimin, duke e cilësuar atë "të papranueshëm".

“Çfarë do të ndodhë pas janarit, kur të nisë mandati i presidentit të ri amerikan, mbetet për t'u parë. Sa i përket ideve për shkëmbimin e territoreve, jo. Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t’i ndjekim këto tendenca,” u shpreh ajo.

Elezaj: BE-ja në mandatin e saj të ardhshëm 5 vjeçar nuk ka në agjendën e saj kurrfarë këmbimi territoresh

Analisti Rexhep Elezaj, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se me ardhjen e Kos në krye të Komsionit të BE-së, do të ketë një qasje tjetër për Kosovën, dhe se nuk e ka në agjendë shkëmbimin e territoreve.

Image

Rexhep Elezaj

Elezaj, thotë se e gjitha kjo çështje është bërë mediatike nga frika dhe se është naivitet politik të thuhet se me ardhjen e Donald Trump, president, do ta rikthehet çështja e shkëmbimit territorial Kosovë-Serbi në tryezën e bisedimeve, duke shtuar se vet SHBA janë ato që nuk lejuan konflikt në Kosovë, në veri.

“Së pari, urojmë që znj. Marta Kos, një mike e Kosovës nga Sllovenia, ta marrë udhëheqjen e Komisionit Evropian për zgjerim, deklarata e së cilës, “se Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t'i ndjekim tendencat për shkëmbim territoresh”, flet qartë se BE-ja në mandatin e saj të ardhshëm 5 vjeçar nuk ka në agjendën e saj kurrfarë këmbimi territoresh, duke lënë të kuptohet se fjala është për idenë e mbrapshtë të viteve 2017/18 të këmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Së dyti, janë të pajustifikuara frika dhe manipulimi mediatik, se me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të presidentit të posa zgjedhur në SHBA, z. Donald Trump në janar të vitit 2025, do rikthehet në tavolinë çështje e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ngase që nga koha kur ai ishte president i SHBA-ve në mandatin e parë (2017 – 2021), kanë kaluar gati 5 vite, ku në ndërkohë rrethanat e sigurisë në Evropë ka ndryshuar në mënyrë drastike për shkak të luftës në Ukrainë, prandaj është naivitet politik të thuhet ose të pritet, që me marrjen e postit të presidentit D. Trump do ta rikthej çështjen e shkëmbimit territorial Kosovë-Serbi në tryezën e bisedimeve. Pikërisht, për shkakun se janë vetë SHBA-të ato të cilat nuk kanë lejuar që në veri të Kosovës të shpërthen ndonjë konflikt i ri ushtarak, të cilin siç dihet, Serbia me ndikimin e Rusisë ka dy vite që kanë tentuar ta ndezin luftën në Ballkan për interesa dhe synime të tyre hegjemoniste.

Së treti, janë SHBA-të ato të cilat Republikës së Kosovës, që nga paslufta (1999) ia kanë garantuar dhe edhe sot vazhdojnë t’ia sigurojnë kufijtë e saj të njohur nga 116 vende, pa ndihmën e së cilës, pra SHBA-ve, regjimi fashist i Beogradit moti do ta kishte sulmuar Kosovën ushtarakisht, dhe këtë fakt ekzistencial për shqiptarët një numër jo i vogël i politikanëve në Kosovë kanë zënë ta injorojnë, duke folur nëpër koluare, se sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës ne mund ta mbrojmë edhe pa Amerikën..!?”, shprehet ai.

Ai nënvizon faktin se shkëmbimi i territoreve është barazi me zero.

“Pra, siç ka deklaruar pardje znj. Marta Kos, ideja dhe mundësia e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, apo kudo qoftë tjetër në Evropë, është barazi me zero për shkaqet e lartë përmendura, por edhe për faktin, se Evropa dhe e gjithë bota kanë hyrë në një epokë të ndryshimeve të mëdha globale dhe strategjike, qoftë në aspektin politik dhe ekonomik, qoftë në atë ushtarak, ku çdo veprim i gabuar mes fuqive të mëdha botërore, SHBA – Rusi – Kinë, njerëzimin mund ta sjellë më afër Luftës së tretë Botërore”, përmbyll ai.       

Maraj: Ndërrimi i kufijve në BE është hapje e “Kutisë së Pandores”

Analisti politik, Milazim Maraj, thotë se reagimi i kandidates të BE-së, është shumë i qartë, se çështja e kufijve është “Kutia e Pandorës”, probleme që nuk do të përfundonin kurrë..

Image

Milazim Maraj

“Reagimi i kandidates për komisionere për zgjerimin e BE Znj. Marta Kos është shumë i çartë. Ndërrimi i kufijve në BE është hapje e “Kutisë së Pandores” për këtë BE nuk pranon të futët në probleme të cilat nuk do të përfundojnë kurrë. Madje janë probleme që do të kishin filluar në Kosovë por nuk do të përfundonin këtu.

Ky projekt rus do të hap luftë të re në Gadishullin Ilirik i cili jo vetëm që do të kishte shumë viktima por do të prekte interesat gjeostrategjikë e BE dhe më gjerë”, thotë ai.

Sipas tij, edhe me ardhjen e Trumpit, nuk ka për çfarë të ketë frikë.

Ai kritikon partitë politike, që po bëjnë para-fushatë dhe  po krijojnë vetëm mjegulla.

Nuk ka çka pritet më frikë pas ardhjes së Presidentit Trump. Rreziku pritet kush do të vije në pushtet në Kosovë.

A do të mbrojë pushteti në Kosovë shtetin dhe territorin e tij apo për pushtet do të jap tokë, sikur ka ndodhë jo rrallë në historinë tonë. Kjo ndodhi pas luftës së fundit më Maqedoninë, ndodhi edhe me Malin e Zi. Nëse kërkohet nga vet institucionet tona dhe për këtë bije në ujdi edhe Serbia atëherë është rrezik!.

Partitë politike në këtë parafushatë më shumë po krijojnë mjegulla se prezantime të kthjellëta dhe çarta të programit të tyre. Këto parti nuk paraqitën ndonjë vizion të rëndësishëm për Kosovë dhe shqiptarët në përgjithësi. Në këtë kohë janë duke punuar shërbimet sekrete të huaja në Kosovë që pretendojnë të shfrytëzojnë fushatën zgjedhore për të realizuar projektet e tëre grabitëse”, shprehet Maraj.

Në fund, thotë se edhe ideja për eliminimin e gjykatës speciale është sa qesharak dhe shumë i rrezikshëm për Kosovën, duke shtuar se asnjë e keqe nuk vjen nga SHBA për Kosovën.

Këto ditë po tundet edhe një opsion, sa qesharak dhe shumë i rrezikshëm për Kosovën. Ky është kërkesa për të eliminimin e Gjykatës së Kosovës në Hagë. Trumbetohet se Presidenti i SHBA do të shkarkoj këtë gjykatë. Ani pse këto janë ëndrra shpërfaqin qëllimet e errëta që kërkojnë trazira në Kosovë, si në Shqipëri. Çka do të thotë kjo? Disa politikanë shqiptarë të Kosovës mendojnë që zgjedhësit kanë harruar “Kauzën“ të rrejshme, me të cilën hynë  para këtij mandati që po kalon, në gara zgjedhore për kufirin e Kosovës në Çakorr dhe Kullë por që nuk e përmenden më kurrë nga dita e ardhjes në pushtet.

Tani shumë qarkullime pati edhe nëpër SHBA për të njëjtën gjë. Çka u premtuan këta politikan të mjerë, të Kosovës misionarëve në SHBA? Çka premtuan për ndryshimin e kufijve dhe për asociacionin për komunat xhuxhe të krijuara pas vitit 2000 në prezencë të KFORI-t francez. Për pushtet japin territore dhe shtet, duke u thirr gjithmonë në sakrificat e tyre për çlirimin e Kosovës. Asnjë e keqe nuk vjen nga SHBA për Kosovën. Rrezikun duhet ta gjemë nga të tërbuarit për pushtet dhe përfitime personale të ulëta. Mjetet e informimit në Kosovë duhet të jenë në shërbim të shtetit dhe popullit të vet”, përfundon ai për “Bota  sot”. 

Read Entire Article