DOKUMENTI/ Bie pretendimi i opozitës për pronësinë e landfillit të Sharrës, Veliaj: “Nuk ka qenë asnjëherë në pronësi të bashkisë, shkresa e 2012 e Jorida Tabakut e vërteton këtë”

10 months ago 28

Toka e landfillit të Sharrës nuk ka qenë asnjëherë pronë e Bashkisë së Tiranës, por vetëm është administruar prej saj. Në një intervistë për emisionin “Real Story” me Sokol Ballën në ABC, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka sqaruar se kjo pronë ka qenë e Ministrisë e Punëve Publike dhe Transportit dhe kjo e fundit ia ka kaluar për administrim pushtetit vendor, por jo si pronë. Duke dhënë një shpjegim të saktë kundër akuzave të ngritura nga opozita për këtë çështje, Veliaj tha se ky fakt provohet edhe nga një shkresë që ish-nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës në vitin 2012, sot deputete e PD, Jorida Tabaku, i kërkon një drejtori të përgjithshëm të asaj kohe që të marrë nën administrim këtë pronë, që i përket ministrisë.
 
“T’ju jap një rast konkret. Znj. Jorida Tabaku në vitin 2012, si nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, i thotë z. Shemsi Aga, Drejtorit të Përgjithshëm të Ndërmarrjes Nr. 1 të Qytetit, se: “Në kuadër të përfundimit të punimeve të projektit…”, – që në fakt ka bërë gjënë e duhur se në atë moment emergjence kishin nevojë për pak zgjerim për të kaluar atë ngërç, kur Tirana po bëhej kapicë me plehrat – “…në vijim të kësaj shkrese, si institucion përgjegjës për venddepozitimin e Sharrës, merrni masa për inventarizimin e dokumentacioneve dhe merrni në dorëzim objektin nga ana juaj”. Pra, objekti është landfilli i Sharrës. Nuk ia jep as me Këshill Bashkiak, as me Komitet, as me Komision Drejtues të PD, as me kryesi partie. Sepse në fakt nuk është pronë e bashkisë. Meqenëse, bashkia e ka në administrim me një shkresë, i thotë ndërmarrjes së saj: merre ti në dorëzim. Njësoj me të njëjtën shkresë për një pronë që nuk është e jona në të vërtetë. Pra, ne e kemi pasur në administrim nga Ministria, e cila është pronare e pronës”, deklaroi Veliaj.
 
Kreu i Bashkisë së Tiranës nënvizon se të 5-ta bashkitë e Qarkut të Tiranës janë kliente të një kontrate që është bërë nga qeveria. “Secila paguan pjesën e saj për mbetjet që çon në landfill. Kjo kontratë ka qenë për 30 vite. Në vitin e 5 dhe të 6, duhet të niste ndërtimi i inceneratorit. Sigurisht, ndodhën këto ngjarje dhe puna u ndërpre. Sot ka kaluar në administrim të shtetit. Por, unë besoj se edhe administratori shtetëror duhet të jetë gardian i kontratës, duhet të vazhdojë me ndërtimin e inceneratorit në momentin që sqarohet ky ngërç juridik. Këtu pyetja është: Për faktin se kur dikush bën aksident në rrugë, ne nuk duhet të bëjmë autostradën? Se mënyra më e sigurt që ne mos të kemi asnjë aksident është mos të ketë makina. Nuk është zgjidhje të mos bëjmë asnjë punë, që të mos kemi asnjë problem. Zgjidhja është të vazhdojmë të bëjmë punën, por të kemi sa më pak problematika”, tha Veliaj.

Read Entire Article