DURRES
Ekspozita fotografike “Dyrrahu i rrëfyer nëpërmjet monedhave” mblodhi sot në ambientet e Kullës Veneciane me dhjetëra nxënës, studentë dhe guida turistike për t’u njohur nga afër me historinë e zhvillimit ekonomik të qytetit bregdetar përmes monedhave që nga lashtësia e deri në ditët tona.
Ekspozita erdhi si një bashkëpunim mes Qendrës Muzeore Durrës dhe Muzeut të Bankës së Shqipërisë. Ajo sjell në fokus koleksionet numizmatike dhe monedhat antike që datojnë që nga shekulli i parë para erës sonë, përfshirë monedha kombëtare dhe ato me vlera kulturore universale.
“Qëllimi është që për publikun tonë, për publikun e qytetit të Durrësit, por edhe për turistët dhe vizitorët ne të hedhim një hap njohjes më të thellë dhe më të plotë të historisë së Durrësit të vjetër përmes këtyre artefakteve, sepse një pjesë e trashëgimisë kulturore që është gjetur në Durrës ndodhet në qytet dhe një pjesë e tij ndodhet jashtë qytetit, në Muzeun Kombëtar apo Muzeun Arkeologjik të Tiranës dhe Muzeun e BSH-së”,-thotë Antigoni Gjergji, specialiste pranë Qendrës Muzeore Durrës.”
Ky qytet, për vetë vlerat që ka është promovuar përmes monedhave thotë Shpresa Lubonja, përgjegjëse e zyrës së muzeut pranë BSH. Sinkron 2
“Sjellim këtu serinë e monedhave përkujtimore të vitit 1987, që përkon me 2600 vjetorin e qytetit të Durrësit. Kemi sjellë gjithashtu një monedhë që i dedikohet një vepre goxha të veçantë, mozaikut “Bukuroshja e Durrësit”. Ky kolazh mendojmë se duke i përshtatur edhe historinë, edhe monedhat vijnë si paketë të dyja bashkë për qytetarët e Durrësit”- tha Shpresa Lubonja.
Për studentët e UAMD-së që e ndoqën nga afër, ekspozita është një mundësi unike për të mësuar më shumë mbi çështjet financiare dhe rolin e tyre në jetën e përditshme të konsumatorit shqiptar.
“Jemi studentë të profilit Hoteleri – Restorant, në degën “Menaxhim Turizmi” dhe ky është një informacion që mendoj se na duhet sepse në kontaktin e parë me turistët t’ua tregojmë dhe atyre.”,- thotë një studente.
“Unë vij nga Franca dhe dua të zbuloj më shumë për historinë tuaj, të qytetit, për monumente si ky ku ndodhemi, por edhe për monedhat tuaj antike dhe këto të sotmet”,- na thotë një student francez, që po studion në UAMD në kuadër të programit ERASMUS.
Ekspozita “Dyrrahu i rrëfyer nëpërmjet monedhave” do të qëndrojë e hapur në datat 7 dhe 8 nëntor, nga ora 09.00-16.00 dhe mund të vizitohet nga vendasit dhe turistët e huaj.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb