“Veporime kontradiktore”, PD rikthehet në Kuvend, a u mbyll mosbindje Civile? Zekthi: Opozita në kaos/ Zhulali: Aksioni vijon

2 hours ago 16

Opozita u rikthua në Kuvend, por a u mbyll mosbindja civile e deklaruar nga Partia Demokratike?

Në emisionin “Open” në News24, analisti Fitim Zekthi tha se kemi të bëjmë me një opozitë në kaos. Zekthi tha se kemi një opozitë konfuze, që herë hyn në Parlament, pastaj deklaron mosbindjen civile, pastaj rikthehet në Kuvend.

Ilda Zhulali, drejtuese e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në PD, tha se opozita nuk ka braktisur Kuvendin, as ka shpallur bojkot, por ka thënë që nuk do të ketë normalitet.

“Opozita ka bërë aksionin e vet politik për të moslejuar normalitetin brenda sallës së Kuvendit, lidhur me buxhetin, opozita ka vendosur që ky moment të diskutohet në Kuvend, që ta dëgjojnë të gjithë qytetarët.

Aksioni opozitar do të vazhdojë, nuk jemi ndalur nga aksioni ynë. Nesër kemi protestën para Bashkisë, do të vijojmë me aksionet opozitare”, tha Zhulali.

Analisti Fatos Lubonja tha se kemi një opozitë kontradiktore, ashtu sikundër është kontradiktor edhe Gazment Bardhi.

“Në njërën anë thonë se kemi një drejtësi të kapur, në anën tjetër i drejtohen gjykatës. Mendoj se kontradiksioni vjen nga pafuqia e opozitës”, tha Lubonja.

Historiani Paskal Milo e konsideroi rikthimin në Kuvend si një gjë pozitive, duke theksuar se politika bëhet në Parlament dhe kjo është një gjë e njohur.

Milo tha se opozita nuk mund të nisë një aksion dhe më pas e lë pas 15 ditësh dhe nis një tjetër aksion që e lë më pas, pasi e gjithë kjo tregon se nuk ka ritëm.

“Opozita po tregon se ka emocione në vendimmarrjen e saj dhe bën mirë që të lerë mënjanë këto emocione”, tha Milo. Sipas tij, opozita nuk mund të vijë në pushtet përmes rrugës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article