E ardhmja e Ramsdale larg Arsenalit, ai mund të ndërrojë ambient së shpejti

11 months ago 23

E ardhmja e Aaron Ramsdale siç duket është larg Arsenalit. Portieri anglez e ka humbur vendin startues dhe mund të largohet diku tjetër në kërkim të minutave.

Është ekipi i Wolves ai i cili ka shfaqur interesim për shërbimet e tij dhe po synojnë një transferim në afatin kalimtar të janarit.

Ramsdale u paraqit në ndeshjen e së shtunës ndaj Brentfordit në udhëtim për herë të parë në dy muajt e fundit, teksa paraprakisht paraqitja e tij e vetme ishte ndaj Man United në shtator.

Portieri i parë i Wolves, Jose Sa, raportohet se ka disa oferta nga Arabia Saudite dhe klubi me shumë gjasë do ta lejoj largimin e tij në rast se ndonjë ekip paguan çmimin prej 35 milionë eurosh për të.

Në rast se reprezentuesi portugez largohet gjatë janarit, klubi do të shkojë me të gjitha forcat në drejtim të Ramsdale.

Nëse përfundimisht gjërat lëvizin në këtë drejtim, me gjasë fillimisht marrëveshja do të jetë vetëm në formë huazimi me një opsion për të blerë kartonin e tij në të ardhmen.

25-vjeçari arriti që të mbaj portën e paprekur në fitoren e Arsenalit me rezultat minimal 1-0 për t’u ngjitur në krye të tabelës.

Ai sidoqoftë ka pasur disa momente jo të mira gjatë ndeshjes pasi mund të pësontë shumë lehtë gol në rast se Declan Rice nuk do ta largonte topin nga vija pas gjuajtjes së Bryan Mbuemos.

Tani për tani, Ramsdale do të shpresojë që Arteta ta përdorë atë më shpesh në vazhdim dhe në rast se kjo nuk ndodh, atëherë nuk përjashtohet mundësia për një largim./Telegrafi/

Read Entire Article