“E ardhmja është në Europë”/ Presidenti i Francës, vizitë në Tiranë: Do të gjejmë rrugën e ribashkimit

1 year ago 15

Emanuel Macron, presidenti i Francës, është sot në ditën e dytë të vizitës së tij në Shqipëri, e para vizitë zyrtare e një presidenti të Francës në historinë e Shqipërisë.

Ceremonia e parë ishte për vlerësimin e urave të miqësisë që lidh dy vendet më përfaqësuesin më të spikatur, Ismail Kadarenë, të cilit iu dha zyrtarisht medalja e Oficer i lartë i Legjionit të Nderit.

Ceremonia shtetërore iu rezervua nga homologu, presidenti i Republikës Bajram Begaj.

Në Kryeministri u nënshkruan disa marrëveshje të rëndësishme si ajo për Udhërrëfyesin për bashkëpunimin ekonomik Francë Shqipëri, në fushën e kulturës, përfshi forcimin e bashkëpunimit policor në fushën balistike mes dy ministrive të punëve të brendshme, bashkë me memorandumin e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit (AFD).

Në konferencën për shtyp, që në fillim kryeministri Edi Rama nuk e fshehu të qenurit i lumtur se pas një pritjeje shekullore, në Shqipëri vjen për një vizitë bilaterale shefi i shtetit francez . I kërkoi Emanuel Macron dhënien fund të ankthit dhe pasigurisë të shkaktuar në rajon prej vështirësisë së brendshme të Bashkimit Europian për t’u zgjeruar në rrugën tradicionale.

“Prania e Presidentit konfirmon besimin se rruga europiane e Shqipërisë dhe rritja e Shqipërisë në ambicien për tu bërë Europa e Ballkanit është e pakthyeshme. Dhe sot dua ta përsëris përpara presidentit që ne do përpiqemi në vijimësi që të mos jemi një nga gjashtë pjesët e Ballkanit që është europiane kur flet me Europën dhe ri bëhet ballkanike kur flet me pesë pjesët e tjera. Ne duam të jemi këtu në Ballkan referenca europiane e këtij komuniteti ballkanik dhe do vazhdojmë të investohemi për ta mishëruar Europën sepse në fund fare procesi i integrimit, procesi i zgjerimit, procesi i ribashkimit janë procese që kanë vlerë për sa kohë transformojnë vetveten”, tha Rama.

Presidenti Macron e nisi me një autokritikë kur tha se ishte një gabim i thellë që prej vitit 1912 dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, nuk kishte ardhur asnjë President i Republikës Franceze. Ndryshe nga disa vite më parë kur Franca dhe Holanda ishin udhëheqëse të bllokimit të integrimit të Shqipërisë në BE, Emanuel Makron në Tiranë përcolli një qasje mbështetëse.

“Unë jam i bindur që vendi juaj është i ankoruar në Europë, jo vetëm në këtë zonë ku deshën t’iu mbyllnin shumë herë ndërsa ju kishit atë karakterin tuaj të veçantë të Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu në Mesdheun tonë, në zemër të kontinentit tonë. Para 20 vitesh, shumë vende u bashkuan në Bashkimin Europian dhe në vitin 2022 ju shënuat një etapë të rëndësishme me Konferencën e Parë Ndërqeveritare për të cilën ju punuat shumë dhe që shënoi atë rrugë, tani të pakthyeshme, të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Jemi në një moment ku duhet t’iu japim juve dhe gjithë rajonit një vizibilitet historik. Po, e ardhmja juaj është plotësisht në këtë Europë. Unë e them nga Franca, ky ribashkim europian është i mirë për ne sepse kush mund të flasë për Europën si fuqi nëse ne lëmë në mes të Europës vende që ndikohen nga fuqi që duan thjesht shkatërrimin e Europës? Procesi i zgjerimit që ka filluar është mirë për ju dhe është mirë për ne. Komuniteti Politik Europian është një etapë e parë, por shpresoj që në muajt e ardhshëm ne si europianë të dimë të gjejmë rrugën e ribashkimit që na bën të mundur ta bëjmë këtë lëvizje, plotësisht të pakthyeshme dhe të fuqishme”, tha Macron.

Presidenti Macron ishte kritik me proceset integruese në SerbI kur tha se ka hyrë prej shumë vitesh në këtë proces dhe po ecën shumë ngadalë. U ndal edhe në tensionet në Verti të Kosovës.

“Franca dhe Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes që unë mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim që të respektohen nga të dyja palët. Mendoj se është përgjegjësia e zotit Vuçiç që të dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi dhe më pas etapat e ardhshme dhe ajo çka presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë; riorganizmi i zgjedhjeve në komunat ku këto u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione, njohjen e asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Sipas kësaj radhe, plotësisht dhe totalisht dhe pres që presidenti Vuçiç të jetë përgjegjës, pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar”.

Nga Tirana për Kosovës presidenti francez përcolli një lajm jo të mirë për Kosovën.

“E them me shumë qartësi; ne u kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecin përpara në javët e ardhshme. Është kushti i paqes në të gjithë zonën”.

Kryeministri Edi Rama zbuloi çfarë është folur për Kosovën në Samitin e procesit të Berlinit.

“Dje kemi pasur një bisedë të hapur informale në drekën e punës me të gjithë liderët, përfshirë me dy kryeministrat, e Kosovës dhe të Serbisë dhe dua të sjell këtu i pa-autorizuar, por nuk besoj se ka problem, një fjalë të thënë nga kryeministri i Holandës, Mark Rutte, kur iu drejtua të dyve: Mos harroni kurrë që një kompromis, më shumë sesa çfarë do fitosh, është se çfarë nuk duhet të humbasësh dhe nëse bëjmë, të paktën me sytë tanë këtu në Tiranë, me sytë e mi nga ky podium, një llogari të gjërave për tu humbur nga shqiptarët në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë dhe kudo qoftë, është shumë më e madhe dhe me një kosto shumë më të lartë sesa llogaria e atyre që duam të fitojmë”.

Presidenti francez më pas vizitoi ambientet e piramidës. Mori pjesë bashkë me kryeministrin Edi Rama në inaugurimin e Vilës 31 në një rezidencë artistësh.

Top Channel

Read Entire Article